Nëna shtiret si e sëmurë për të mbrojtur të birin me drogë
Një nënë ka tentuar të mbrojë djalin e saj që kishte laborator heroine në shtëpi, duke u shtirur si e sëmurë dhe duke fshehur lëndën narkotike në vende intime. Historia ka ndodhur dy net më parë, kur policia e kryeqytetit goditi këtë bazë të drogës gjatë operacionit të koduar “Skafandra”. Hetimi për zbulimin e kësaj baze kishte nisur disa javë më parë dhe është finalizuar me arrestimin e një shpërndarësi dhe shpalljen në kërkim të furnizuesit të tij.
Dy ditë më parë, antidroga e kryeqytetit ka vendosur të bëjë goditjen e kësaj baze droge, kur ka marrë gjithë informacionet e duhura, se ku ndodhej dhe nga kush drejtohej. Kështu, agjentët janë shpërndarë në terren, pikërisht te Rruga e Barrikadave. Atje kanë kapur një shpërndarës, i cili sapo kishte marrë katër doza heroinë nga furnizuesi i tij. Nga vëzhgimet e policisë ka rezultuar se furnizuesi, i identifikuar më vonë me emrin Behar Lani, vinte me një motor dhe u jepte drogën shpërndarësve. Kështu ka vepruar edhe dy ditë më parë, kur ka takuar Andi Hambarin, 22 vjeç, i cili pasi ka marrë lëndën narkotike, ka rënë në prangat e antidrogës. Atij i janë gjetur me vete dozat e heroinës, me një peshë të vogël dhe është shoqëruar për në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Veç tij, policia ka ndjekur furnizuesin, i cili lëvizte me motor dhe që po shkonte drejt banesës së tij, ku dyshohej se kishte edhe bazën e drogës. Kur ka mbërritur, ka vënë re oficerët e antidrogës që e ndiqnin dhe duke përfituar nga një rrugicë, ku nuk ndiqej dot, pasi banesën e kishte pranë, ka marrë motorin e tij dhe është larguar me shpejtësi. Arratisja ka ndodhur pikërisht pranë Bregut të Lumit, ku ai kishte një banesë private. Sipas të dhënave policore, menjëherë është ushtruar kontroll në banesën e tij, brenda së cilës është gjetur vetëm e ëma. Sapo policia ka hyrë brenda, ajo ka bërë sikur ishte tejet e sëmurë dhe nuk ka dashur të lejojë oficerët që të ushtrojnë kontroll.
Por, kur kanë hyrë në dhomën e gjumit të Behar Lanit, specialistët e policisë kanë zbuluar një laborator, ku ishin gjithë makineritë për përzierjen dhe peshimin e heroinës, si dhe për ndarjen në doza të vogla. Por, brenda dhomës nuk kishte lëndë narkotike. Kjo ka sjellë dyshime te policia dhe kanë filluar të kontrollojnë në ambiente të tjera. Nënës së tij i është kërkuar të bashkëpunojë, por ajo vazhdonte të shtirej si e sëmurë. Në këto kushte, policia ka kërkuar një specialiste për të kontrolluar gruan 55-vjeçare, e cila nuk pranonte. Por, pas kontrollit të imtë të saj, i janë gjetur 266 gramë heroinë. Sipas specialistëve të policisë, ajo e kishte futur drogën në pjesë intime të trupit. Pas kësaj ngjarjeje, policia ka shpallur në kërkim Lanin, ndërkohë që nënën e tij e ka lënë të lirë. Goditja e kësaj baze, sipas të dhënave hetimore ka minimizuar më shumë shpërndarjen e lëndëve narkotike në Tiranë.
Burimet nga grupi hetimor thanë se ai shpërndante lëndë narkotike në tri zona të Tiranës, duke filluar që nga Shkolla e Bashkuar, te Stacioni i Trenit dhe te Rruga e Barrikadave. Prej disa javësh ishte në hetim dhe dokumentimi i veprës penale të konsumuar prej tij ishte tejet i vështirë. Sipas përgjimeve të kryera, sa herë nisej për të shitur lëndë narkotike, ai deklaronte në telefon se po sillte makinën. Në të vërtetë, ai nuk lëvizte me makinë, por me një motor dhe çantë shpine, duke transportuar edhe heroinën. Më tej, policia deklaroi se kapja e tij është çështje kohe dhe që në banesë iu sekuestruan 267.2 gramë heroinë, një motor, një maskë e zezë dhe doreza, si dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh pistolete. Kjo ka ngritur dyshimet se ai mund të jetë i përfshirë edhe në grabitje me armë dhe që është larguar me shpejtësi se mund të ketë qenë i armatosur. Vetëm pak kohë më parë, specialistët e antidrogës kishin deklaruar se bazat e përpunimit të drogës janë përqendruar në periferi dhe janë larguar nga qendrat urbane. Kështu ka ndodhur edhe në rastin e dy ditëve më parë, kur u bë kjo goditje.
#