E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pogradec, vidhen paratë dhe dokumentet e postës

Hetimet

Vidhet nga persona ende të paidentifikuar zyra postare e fshatit Buçimas në rrethin e Pogradecit. Vjedhja e zyrës postare të këtij fshati ka ndodhur në orët e natës, kur persona që nuk janë zbuluar dhe kapur nga policia kanë shkallmuar dhe kanë arritur të hyjnë me thyerje të derës në ambientet e brendshme të kësaj zyre. Gjatë kësaj ngjarjeje, persona të paidentifikuar kanë vjedhur jo vetëm shumën e lekëve, por edhe dokumentacionin. Sipas policisë, vjedhja është konstatuar mëngjesin e së premtes, dhe menjëherë kanë filluar hetimet për grabitjen e shumës së lekëve dhe të dokumentacionit të zyrës postare. Nga verifikimet ka dalë se janë vjedhur në zyrën postare të fshatit Buçimas 120 mijë lekë të reja, të grumbulluara nga aktiviteti ditor i saj. Vjedhësit nuk kanë pasur si synim vetëm lekët e zyrës postare, por edhe dokumentacionin që ruhej brenda saj. I gjithë dokumentacioni i zyrës postare të fshatit Buçimas është vjedhur ose dëmtuar në një pjesë të tij. Policia tha se ky veprim është kryer për të fshehur çdo gjurmë të punës në zyrën postare ose për të mbuluar shkelje të kryera atje. Policia e Pogradecit nuk ka arritur të zbulojë autorët e kësaj vjedhjeje, ndërkohë që po heton nëse grabitësit kanë pasur bashkëpunim me punonjës të zyrës për faktin se ata kishin dijeni për shumën e lekëve që mbahej në ambientet e brendshme të saj.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›