Ndoka-Berisha, drejt pajtimit në gjykatë
është zhvilluar ditën e djeshme seanca e parë gjyqësore ndërmjet Kryeministrit Berisha dhe kryetarit të Partisë Demokristiane, Nard Ndoka. Ky i fundit ka paditur Kryeministrin për shkaktim dëmi dhe cenim të dinjitetit për shkak të deklaratave të tij para disa kohëve. Pala paditëse, në respektim të procedurës civile ka kërkuar një afat kohor për zgjidhjen e çështjes me pajtim. Kjo kërkese e palës paditëse u pranua nga gjykata duke qenë se ra dakord dhe pala e paditur. Në këtë situatë, gjykata vendosi që seanca e radhës të zhvillohet më datë 30 prill 2010. Në padinë e tij, Nard Ndoka, i kërkon gjykatës detyrimin për përgënjeshtrimin të deklaratës dhe detyrimin për pagimin e dëmit jopasuror të shkaktuar nga cenimi i dinjitetit. Shkak për këtë padi është bërë deklarata e para disa kohëve e Kryeministrit Berisha, i cili sulmoi Nard Ndokën. Gjatë deklaratës së tij, Kryeministri Berisha sulmoi disa nga politikanët dhe biznesmenët që ai i quajti njerëz të lidhur për shkak të interesave me Edi Ramën. Gjatë deklaratës së tij, Berisha sulmoi dhe kryetarin e Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, për disa leje ndërtimi që ai kishte marrë nga Bashkia e Tiranës. Sipas Berishës, Ndoka nuk mbronte interesat e partisë dhe elektoratit të tij, por interesat personale të tij. Reagimi i Ndokës ishte i menjëhershëm jo vetëm publikisht, por dhe me anë të një padie civile në Gjykatën e Tiranës.
#