E Diel, 1 Nëntor 2026

Zihen në lokal, i shkul veshin me dhëmbë

Elbasan Policia ndalon agresorin kanibal. I dëmtuari kërkon heqjen e shpenzimeve për ndërhyrjen kirurgjikale

Grinden në lokal, e kafshon dhe i heq gjysmën e veshit me dhëmbë. Ndodhia kanibale ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes, në fshatin Mollas, rreth 40 kilometra larg qytetit të Elbasanit, mbrëmjen e së enjtes. Sipas burimeve zyrtare nga policia lokale, bëhet e ditur se mbrëmjen e së enjtes 36-vjeçari Arjan Hysi është grindur me dy bashkëfshatarë të tij për motive banale. Pas përplasjes me fjalë, të rinjtë janë përplasur fizikisht dhe në një moment 36-vjeçari Arjan Hysi ka sulmuar dy bashkëfshatarët, njërit prej të cilëve i ka hequr gjysmën e veshit me dhëmbë. Zëdhënësja e Policisë së Qarkut të Elbasanit, Valbona Begu, ka deklaruar se 36-vjeçari Arjan Hysa, për motive të dobëta ka kafshuar dhe këputur gjysmën e veshit të shtetasit K.M., 27 vjeç, dhe më pas ia ka dhënë në dorë. Më pas 36-vjeçari është larguar nga vendi i ngjarjes, por nuk ka mundur dot të fshihet gjatë, pasi vetëm në orët e para të mëngjesit të djeshëm, është arrestuar nga policia. Ndërkohë, mësohet se 27-vjeçari ka marrë ndihmë mjekësore dhe gjatë marrjes në pyetje në polici, ka pohuar se kërkonte që agresori 36-vjeçar t’i paguajë shpenzimet për të zëvendësuar pjesën e veshit, duke bërë të mundur kështu kryerjen e një ndërhyrjeje kirurgjikale. Mësohet se policia ka nisur procedimin penal ndaj autorit, i cili akuzohet për veprën penale “plagosje e rëndë me dashje”. Ky është rasti i tretë që pas zënkave banale “kundërshtarëve” u këputet veshi me dhëmbë. Kujtojmë se pesë vjet më parë, vëllai do t’i kafshonte të motrës veshin dhe një vit më pas, në zonën e Shpatit, do të përsëritej sërish një rast i tillë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›