Zbulohet grupi i klandestinëve, rrestohen pesë trafikantë
Një grup trafikantësh për klandestinë janë goditur nga policia e kryeqytetit, pasi janë kapur në flagrancë, duke tentuar të kalojnë ilegalisht për në Greqi 14 persona. Operacioni është zhvilluar ditën e djeshme, kur policia e kryeqytetit ka vënë në pranga pesë persona. Burimet zyrtare të Policisë së Tiranës bënë të ditur se nga seksioni kundër trafiqeve të paligjshme u finalizua operacioni i koduar “Lugina e Vernikut”. Sipas të dhënave hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është regjistruar procedimi penal për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, i cili është ndjekur me metoda speciale të hetimit. Gjatë këtij operacioni u realizua kapja dhe arrestimi në flagrancë i Zenel çokës, 37 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale. Gjithashtu, veç tij, në pranga përfunduan Gazment Muçaj, 31 vjeç, lindur në Levan të Fierit dhe banues në Kamzë, Njazi Lamaj, 34 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Laknas, Genci Muçeku, 38 vjeç, lindur në Devoll dhe banues në Kamzë dhe Besnik Vlashi, 37 vjeç, lindur në Lis të Matit dhe banues në Tiranë. Ata janë kapur në flagrancë gjatë momenteve që po i jepnin ndihmë për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme një grupi prej 14 personash në fshatin Vernik të Devollit. Këtë aktivitet, pesë personat e lartpërmendur e kryenin kundrejt një pagese nga 300 deri në 500 euro. Burimet nga grupi hetimor thanë se këta persona janë mbajtur në mbikëqyrje për një periudhë prej dy muajsh. Gjatë këtij operacioni u sekuestruan dy automjete, të cilat shërbenin për transportin e personave, dy pasaporta dhe pesë celularë. Materialet procedurale në ngarkim të tyre i kaluan prokurorisë për hetime të mëtejshme.
Gjithashtu, po dje dy të rinj që tentuan të kalonin ilegalisht kufirin nga Shqipëria në Maqedoni me synim që të mbërrinin më pas në Greqi, janë kapur nga policia kufitare e Pogradecit dhe janë vënë në pranga. Policia tha se ka arrestuar 23-vjeçarin me inicialet B. B. nga Librazhdi, dhe 21-vjecarin A. S., nga fshati Dragot i Elbasanit. Dy të rinjtë janë kapur në flagrancë nga policia kufitare ndërsa do të kalonin ilegalisht për në tokën maqedonase. Nga marrja në pyetje e tyre është mësuar se destinacioni i udhëtimit ka qenë Greqia. Dy të rinjtë e arrestuar për kalim të paligjshëm të kufirit, kanë deklaruar se do të ndihmoheshin për të mbërritur deri në Greqi nga shtetasi Afrim Rabici, me banim në Librazhd. Personi që do të jepte ndihmën për dy klandestinët është vënë nën akuzën dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, por nuk është arrestuar siç u veprua me dy të rinjtë që tentuan kalimin ilegal të kufirit me Maqedoninë.