E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitet me mashtrim një dyqan këmbimi valutor

Autori rreth 35-40 vjeç, ka përfituar nga pakujdesia dhe pasi ka marrë paratë është larguar me shpejtësi

Vetëm 15 minuta pasi ndodhi ngjarja e pengmarrjes, e cila mobilizoi të gjitha forcat e policisë ka ndodhur një tjetër grabitje në hyrje të Komunës së Parisit. Në këtë pikë “Exchange” janë vjedhur rreth 1 milion lekë të vjetra me anë të mashtrimit. Menjëherë pas njoftimit, policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e marra nga dëshmitarët bëhet e ditur se personi i cili ka realizuar grabitjen ka qenë i moshës 35-40 vjeç, por ende nuk është bërë i mundur identifikimi i tij. Ai është paraqitur pranë sportelit si një klient, i cili dëshironte të këmbente valutë të huaj me lekë shqiptare dhe më pas ka mundur të kryejë vjedhjen. Nga të dhënat e policisë mësohet se ai kishte paraqitur një sasi eurosh dhe kishte kërkuar nga punonjësja e këmbimit valutor, që t’i jepte lekë. Në këtë kohë, punonjësja i ka bërë këmbimin e parave, por grabitësi i ka nxjerrë një tjetër pretekst. Ai i ka kërkuar punonjëses që nëse kishte mundësi lekët t’ia jepte prerje 5 mijë lekëshe. Punonjësja, duke mos kuptuar se çfarë po ndodhte, ka nxjerrë paratë e tjera dhe ia ka dhënë personit të paidentifikuar. Në këtë kohë, teksa ajo priste t’i jepte paratë e para, grabitësi është larguar me shpejtësi, duke marrë dyfishin e atyre që kishte kërkuar të këmbente. Punonjësja ka kërkuar menjëherë ndihmë, por ai është larguar mes pallatesh dhe nuk është parë më. Më pas është njoftuar policia, që gjithë forcat e saj i kishte përqendruar te ngjarja e pengmarrjes. Menjëherë, disa patrulla policia janë nisur për në vendin e ngjarjes dhe kanë rrethuar zonën, por nuk kanë mundur të bien në gjurmët e hajdutit. Burimet policore bënë të ditur se me anë të dëshmive po punohet për identifikimin e autorit të ngjarjes, ndërkohë që janë shoqëruar disa të dyshuar. Ndërkohë, ngjarjet e fundit kanë mobilizuar forcat e policisë dhe grupet e sigurimit edhe nëpër filialet e bankave të tjera.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›