E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet në flagrancë personi që fshehu gëzhojat e plagosjes së Shijakut



Shijak – Forcat e policisë së Shijakut kanë arrestuar në flagrancë 30-vjeçarin Klodian Hushi, lindur dhe banues në këtë qytet, pasi akuzohet se ka fshehur prova mbi ngjarjen e djeshme ku mbeti i plagosur Olsi Ferizi. Sipas të dhënave, ai rezulton të jetë dënuar edhe një herë më parë për vjedhje. Policia sqaron se mbi pas ngjarjes së plagosjes, ai ka shkuar në vendngjarje duke marrë më pas gëzhojat e pistoletës me të cilën kreu krimin, me qëllim fshehjen e tyre, duke tentuar zhdukjen e provave kundër tij. Të dhënat e ngjarjes tregojnë se ka qenë Armando B. dhe Olsi Ferizi që kanë debatuar në lokalin e të parit për motive të dobëta, debat nga i cili ai ka mbetur i plagosur nga një pistoletë tip TT. I dëmtuari ndodhet në Spitalin Rajonal të Durrësit jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia po punon për kapjen e autorit.

Munguan dy të pandehur, shtyhet seanca e parë për pallatin e shembur

Gjirokastër - Është zhvilluar dje në Gjirokastër seanca e parë gjyqësore për tragjedinë e 9 nëntorit 2008, kur një pallat në lagjen “11 janari” pësoi shembje si shkak i ndërtimit ngjitur tij të një pallati të ri. Seanca e parë në ngarkim të personave që po procedohen penalisht për këtë ngjarje, ku mbetën të vdekur tre persona, është shtyrë për shkak të mungesës së dy prej të pandehurve. Kryetari i trupit gjykues, Besart Avdulaj, ka vendosur që seanca e radhës të jetë më 21 prill, duke kërkuar gjithashtu që të mos ketë mungesa në sallë si shkak i procedurave teknike.
Në seancën e djeshme janë paraqitur: Sotiraq Janora, i cili aktualisht është në arrest me burg me akuzën e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese; Gjergji Meçe, në arrest me burg për shpërdorim detyre; Afërdita Papamihali, Petrit Maksuti, Leonard Mustafaj, të cilët po ndiqen penalisht në gjendje të lirë për shpërdorim detyrë. Dy personat që nuk janë paraqitur janë Alfred Mamani, (në arrest shtëpie) dhe Amir Shehaj (në arrest me burg) për arsye shëndetësore, sipas mbrojtjes.

7 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›