E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet në plazh i kërkuari për trafik droge

Durrës Ilirian Dhima ishte dënuar me 20 vjet burg në Itali. Lëvizte me identitet të rremë

Kapet në një lokal të plazhit një i shumëkërkuar për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike. Gjykata e Leçes në Itali e kishte dënuar në mungesë me 20 vjet heqje lirie për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike, ndërsa 34-vjeçari nga Durrësi pushonte i pashqetësuar buzë detit. Ditën e enjte, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës bënë kapjen e ndalimin e Ilirian Dhimës, një person i shumëkërkuar nga drejtësia italiane. Ai ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit, më 26 maj të këtij viti, pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Durrësit për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, masë e marrë në mungesë për efekt të njohjes së vendimit penal të Gjykatës së Leçes. Drejtësia italiane e ka dënuar me 20 vjet burg në shkurt të vitit 2007 dhe që nga ajo kohë, ky shtetas ka qenë në kërkim. Njohja e vendimit të gjyqësorit italian në vendin tonë përshpejtoi veprimet për kapjen dhe ndalimin e tij. Gjatë periudhës që ka qenë në kërkim, Ilirjan Dhima i është shmangur hetimit, duke ndryshuar vazhdimisht identitetin e tij dhe duke u strehuar në banesa të ndryshme.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›