Ruspat e ndërtimorëve nxjerrin në diell 4 familje
Objekt i goditjes nga operacioni “Pastrimi i Rivierës” dje janë bërë ndërtimet e para në brendësi të lagjeve të Sarandës. Operacioni është ndalur në zonën e ish-burgut në lagjen Nr. 4 të qytetit bregdetar, ku është shembur si fillim një lokal dhe një ndërtesë dykatëshe, në të cilën banonin katër familje. Ndërhyrja spastruese ka vijuar më pas në një objekt dykatësh në krahun tjetër të rrugës. Për shkak se objekti shërbente për banim për katër familje, u është dhënë koha e nevojshme banorëve që të bëjnë zbrazjen e mjediseve nga orenditë dhe të shpëtojnë pjesë nga objekti, si dyer druri, dritare duralumini etj. Rreth mesditës ka vepruar fadroma dhe është bërë edhe shembja e këtij objekti. Burime nga operacioni thanë se prishja e kësaj banese është bërë me kërkesën e zyrës përmbarimore, pasi banuesit në të kanë humbur gjyqet me ish-pronarin. Shembja e kësaj banese për pjesëtarët e katër familjeve, mes të cilëve edhe fëmijë, është përcjellë me zemëratë. Njërës prej grave i ka rënë të fikët dhe i është dhënë ndihma e parë, ndërsa njëri prej kryefamiljarëve, Njazi Kaçupi, tha se disa prej fëmijëve janë në spital. Ai këmbëngul se ndërtimi ka qenë ngritur me leje 15 vjet më parë dhe akuzon zyrën e Përmbarimit si të korruptuar.
#