Sot, të mitur kleptomanë, nesër kriminelë të dhunshëm
Problemi më i madh me të miturit që janë autorë veprash penale të ndryshme ka të bëjë me agresivitetin dhe rrezikshmërinë e tyre, e cila vjen duke u rritur nga ngjarja në ngjarje. Kjo ndodh për shkak të besimit që ata fitojnë në vetvete se policia nuk ka çfarë t’u bëjë, pasi sa herë shoqërohen, për shkak të mungesës së ambienteve të riedukimit, ata lihen sërish të lirë. Kështu shprehen ekspertët e policisë, të cilët merren me trajtimin e të miturve dhe përgatisin informacionet përkatëse sesi duhet të sillen gjithë oficerët e policisë kur përballen me një moshë të tillë. Bëhet fjalë për të miturit që nuk kanë arritur moshën 14 vjeç dhe për shkak të ligjeve aktuale në vend, ata nuk mund të arrestohen dhe dënohen.
Shefja e seksionit të dhunës në familje dhe mbrojtjes së të miturve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, Blerina Bajollari, shprehet se në punën e saj, por edhe të gjithë oficereve të tjera në këtë seksion, janë përballur shpesh me raste të tilla. Ajo shpjegon se në të shumtën e rasteve ky seksion merret me të miturit, kur ata janë të dëmtuar, por nuk përjashtohen dhe nuk lihen mënjanë edhe kur ata janë autorë të veprave të ndryshme penale. Megjithatë, sipas saj, në këto raste merren zakonisht oficerët përkatës të policisë që shqyrtojnë çështjet për veprat penale, të cilat rëndojnë mbi të miturit. Por seksioni ka nxjerrë praktika pune të ndryshme për këto raste, me qëllim respektimin e të drejtave dhe lirive të fëmijëve të mitur, që janë zakonisht poshtë moshës 14 vjeç. “Si procedurë, ashtu siç njihet nga të gjithë oficerët e policisë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, kur shoqërohet një i mitur, i dyshuar për një vepër penale të caktuar, së pari ai nuk mbahet në ambientet e shoqërimit, bashkë me të rriturit”, shpjegon Bajollari. Në fakt, komisariatet e policisë së kryeqytetit, që shoqërojnë në të shumtën e rasteve të miturit, nuk kanë ambiente të veçanta për këtë moshë. Kështu është vendosur që ata të mbahen në zyrat e oficerëve përkatës deri në sqarimin e plotë të rrethanave dhe kryerjen e procedurave përkatëse. Bajollari shpjegon se në asnjë rast këta të mitur nuk merren në pyetje vetëm për vetëm. Kjo, tashmë është kthyer në një metodë pune, që respektohet nga të gjithë oficerët dhe i mituri pyetet në praninë e avokatit dhe psikologut, ose dhe të prindit. Por, pas marrjes në pyetje, sado që ai mund të rezultojë se është autori i një vepre penale, nuk mund të mbahet i izoluar, kështu që detyrim i policisë është të dërgohet në banesë.
Shefja e seksionit shprehet se kur prindërit nuk gjenden për të marrë në pyetje të miturin, ai pyetet me psikolog dhe me avokat dhe në përfundim shoqërohet në banesë. Pas kontaktit me prindërit, në metodë të punës është edhe këshillimi i familjes për problemet që shkakton fëmija i tyre. Megjithatë, nga statistikat mësohet se edhe arsimimi përkatës i familjeve që kanë këta të mitur nuk është në nivel të mjaftueshëm dhe ky mund të jetë një “shkak që i lejon” të miturit për të kryer vepra penale. “Problemi kryesor vjen pas lirimit të tyre, pasi fëmijët krijojnë vetëbesim”, shprehet komisarja Bajollari. Ata kuptojnë se policia nuk mund t’i mbajë të izoluar, për shkak të mungesës së shkollave të riedukimit dhe kështu shtyjnë veten drejt kryerjes së veprave të tjera penale. Por, në këto raste, ata e shtojnë “dozën” e kriminalitetit. Nëse në një rast, siç është edhe çështja e Markeljan Cungut, ai ka filluar me vjedhje xhepash, apo vjedhje të tjera ordinere, më pas do të kalojë me vjedhje banesash dhe vjedhje makinash. Më vonë, ai do të bëhet edhe i dhunshëm, ashtu siç ka ndodhur në shumë raste, duke u bërë edhe më i rrezikshëm për komunitetin.
#