E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas arrestimit të mjekut, grevë njëorëshe në spitalin e Elbasanit

Reagimi Bluzat e bardha akuzojnë prokurorinë se ka denigruar figurën e mjekut. Paralajmërohet grevë njëditore

Një ditë pas arrestimit të mjekut Alban Hoxha për “moskallëzim krimi”, kanë reaguar kolegët e tij të spitalit kirurgjikal të Elbasanit. Mjekët kanë ndërprerë punën për një orë në shenjë mbështetje të kolegut të arrestuar, ndërkohë që Sindikata e Mjekëve ka paralajmëruar vijimin e protestave. Pas pesë ditësh do të bojkotohet i gjithë shërbimi spitalor në shenjë solidarizimi të kolegut Hoxha. Greva njëorëshe është zhvilluar paraditen e djeshme, në mjediset e jashtme të spitalit kirurgjikal të qytetit të Elbasanit. I gjithë stafi spitalor, mjekë, infermiere dhe sanitare kanë protestuar ndaj arrestimit të mjekut Alban Hoxha, një ditë më parë në këtë spital. Sipas policisë, arrestimi i tij është bërë për moskallëzim të një përdhunimi, viktimë e të cilit ka qenë një fëmijë 6 vjeç nga qyteti i Peqinit. Përfaqësuesi i urdhrit të mjekut për Elbasanin, Vitri Lika, tha se “ndihemi të kërcënuar gjatë kryerjes së detyrës, pasi veprime të tilla të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë dhe mënyra e trajtimit të figurës së mjekut nga ana e prokurorisë ka qenë denigruese”. Të gjithë mjekët protestues u kërkojnë organeve përkatëse lirimin e mjekut Alban Hoxha, si dhe vlerësimin e figurës së mjekut. Gjatë ditës së djeshme, stafi i qendrës spitalore ka ndërprerë shërbimin për një orë, duke përjashtuar vetëm shërbimin e urgjencës. Ndërkohë kanë reaguar drejtuesit e sindikatave, duke paralajmëruar pas pesë ditësh një grevë të përgjithshme dhe pezullim të çdo lloj shërbimi në të gjitha spitalet e Elbasanit, pasi, sipas tyre, organet e policisë dhe prokurorisë e kanë denigruar rëndë figurën e mjekut. Mjeku Alban Hoxha u ndalua dy ditë më parë nga Policia e Elbasanit për “moskallëzim të krimit”. Ai ishte mjek roje më 19 maj, kur në spital u dërgua i mituri me inicialet R.K. 6 vjeç, i cili dyshohet se është përdhunuar nga Mandi Doda, 23 vjeç. Mjeku 31-vjeçar nuk e ka denoncuar ngjarjen në polici pas konstatimit të përdhunimit, por vetëm ka kryer detyrën si mjek, duke mjekuar të voglin.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›