U arratis se u mërzit pa punë, e gjen policia
Një vajzë 24-vjeçare është kthyer në banesë dje, pasi prej dy ditësh ishte shpallur në kërkim nga policia e kryeqytetit. Bëhet fjalë për një vajzë nga Kamza, e cila ishte larguar nga banesa, e pavarësisht se prindërit kërkonin të kthehej në banesë, ajo nuk pranonte. Vetëm pasi ka kryer një telefonatë me punonjësit e policisë, ajo ka pranuar të tregojë se ku ishte. Burimet policore bënë të ditur se bëhet fjalë për 24-vjeçaren B.I., e cila ishte larguar nga banesa që ditën e martë. Atë natë mësohet se ajo ka fjetur në Fushë-Krujë, ndërsa të nesërmen ka udhëtuar për në Burrel. Këto i ka treguar gjatë deklaratës në polici, kur është kthyer në banesë. Sipas të dhënave, ajo është shprehur se ka qenë vetëm dhe nuk donte të kthehej në banesë, pasi ishte mërzitur pa punë. Gjithashtu, ajo është shprehur se nuk kishte asnjë problem me familjen dhe që babai i saj e kishte marrë në Burrel, pasi ajo ka treguar se ku kishte qëndruar e fshehur. Nga ana tjetër, policia e ka hequr nga lista e personave në kërkim.
#