Pranga dy hajdutëve, vidhnin çanta në treg
Tregu i fruta-perimeve në qendër të qytetit të Kavajës, ishte zgjedhur nga dy persona si vendi për të zhvatur xhepat dhe çantat e qytetarëve. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës bënë të ditur se Tomorr Kaloshi, 59 vjeç, dhe Novruz Gjolena, 49 vjeç, të dënuar më parë për vjedhje, janë arrestuar nga oficerët e policisë së Komisariatit të Kavajës, pasi u kapën teksa po vidhnin disa qytetarë. Burime nga policia thanë më tej në një njoftim për shtyp se Kaloshi dhe Gjolena në momentin që u kapën, ishin të angazhuar për zhvatjen e dy personave. Kaloshi po tentonte t‘i vidhte çantën 56-vjeçares Bukurije Hoxha, ndërsa Gjolena po tentonte t‘i vidhte portofolin 60-vjeçarit Shaqir Hoxha. Ndaj tyre u mor masa e arrestit për veprën penale të "vjedhjes", e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim.