E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milan, "triadë" pas Ançelotit

Sipas fjalës së dhënë nga Galiani, e ardhmja e Milanit do të zbulohej të hënën. Por, edhe pse java e ardhshme do të qartësonte projektet për sezonin e ri, gjatë ditës së djeshme ka ndodhur diçka mjaft e rëndësishme. Klubi duket se e ka zgjedhur emrin e pasardhësit të Karlo Ançelotit, i cili pritet të marrë drejtimin e Çelsit. Në vend të tij nuk do të ketë një trajner të vetëm, por një "triadë": Leonardo, Tasoti dhe Filipo Gali. Zgjedhja ka lindur pas kompromisit ndërmjet Galianit dhe presidentit Berluskoni. Administratori kërkonte një person të brendshëm, që siguronte vazhdimësi, ndërsa numri një i kuqezinjve, edhe pse pëlqente pistën Van Basten, nuk e ka fshehur vlerësimin për Leonardon. Braziliani ishte alternativa e vetme, e cila i përshtatej identikitit të Berluskonit: i ri, me prezencë dhe që duhet të konfirmohet në arenën ndërkombëtare. Problemi është se Leonardo ende nuk e ka licencën e trajnerit dhe për këtë arsye, së bashku me të në stol nevojitet një teknik "brenda rregullave". Ja përse në stol do të qëndrojnë edhe Mauro Tasoti dhe Filipo Gali. Edhe lojtari kryesor i skuadrës, Kaka e ka mbështetur idenë për një trajner të ri: "Nuk ka asgjë të keqe, shikoni Barcelonën. A mund të kritikohen se emëruan Guardiolën?".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›