E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet polici, grabiti me maska

Arrestohet punonjësi i Policisë Rrugore të Tepelenës, i akuzuar për grabitje me armë në vitin 1999. 

Pirro Nase & Dashamir Biçaku

Një hetim disamujor i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm është finalizuar dje, me arrestimin e Refat Kanushit, efektiv i Policisë së Qarkullimit Rrrugor, i akuzuar si protagonist i një ngjarje të rëndë, të ndodhur në muajin shkurt të vitit 1999. Aksioni i zyrës qendrore të SHKB-së në bashkëpunim me atë të Gjirokastrës, është zhvilluar dje në mbrëmje dhe është finalizuar me arrestimin e Refat Kanushit, 29 vjeç, i rekrutuar në Policinë e Shtetit në vitin 2000, i përjashtuar më pas dhe i ripranuar në vitin 2003. I akuzuari nga fshati Arshi Lengo i Gjirokastrës është vënë në pranga me vendim të Gjykatës së Gjirokastrës. Bazuar në provat e mbledhura nga SHKB, ai akuzohet nga Prokuroria për grabitje me armë në bashkëpunim me dy persona të tjerë. Grabitja është kryer ndaj tre personave në 20 shkurt 1999, duke i keqtrajtuar për disa orë ata. Ngjarja sipas njoftimit zyrtar të policisë, është dokumentuar plotësisht nga hetuesit e SHKB-së, të cilët kanë marrë dëshmi të personave të dëmtuar, madje i kanë ballafaquar ata me të arrestuarin, duke realizuar edhe identifikimin e plotë të tij. Dyshimet e hetuesve janë se efektivi i arrestuar mund të jetë përfshirë edhe në disa episode të tjera grabitjeje ndaj personave të ndryshëm. Madje, specialistët e SHKB-së dhe të Prokurorisë, dyshojnë se edhe për një grabitje, ku një i dëmtuar ka mbetur i vdekur si pasojë e dhunës së grabitësve, ku bënte pjesë edhe i arrestuari. Prej vitit 2000, i akuzuari ka hyrë në radhët e policisë, dhe dukej se i kishte harruar historitë e grabitjeve në mesnatë të furgonëve me pasagjerë.
Grabitja
Episodi për të cilin është arrestuar, efektivi i Policisë Rrugore të Tepelenës, ka ndodhur më 20 shkurt të vitit 1999. Në orën 01:00, pas mesnate, pranë fshatit Vasjar, rreth 12 km në Veri të Tepelenës, Refat Kanushi në atë kohë vetëm 20 vjeç, bashkë me dy shokë të tij, kanë ndalur një furgon me targa të Përmetit. Në të ndodheshin tre persona, të cilët nën kërcënimin e armëve janë detyruar të zbresin në tokë. Për t’iu marrë paratë, grupi i grabitësve, i ka dërguar personat buzë lumit Vjosë, nën keqtrajtime, ushtrim dhune e kërcënime. Për më tepër se katër orë personat janë mbajtur dhe keqtrajtuar nga grupi i grabitësve, të cilët në fund kanë marrë prej tyre 120 mijë lekë, një sasi bizhuterish e sendesh personale të të grabiturve. Emrat e të dëmtuarve, apo të të dyshuarve të tjerë, nuk janë bërë të ditur nga policia, për shkak se çështja është ende nën hetim e ajo mund të transferohet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Burimet zyrtare të policisë thanë dje në mbrëmje për gazetën “Panorama”, se veç ngjarjes së shkurtit të vitit 1999, të ndodhur në Vasjar, grupi pjesëtar i të cilës ishte Kanushi, dyshohet edhe për grabitje të tjera. Në njërën nga këto grabitje të ndodhura në zonën e Tepelenës, një person ka mbetur i vdekur. Rihapja e hetimit, nga SHKB-ja, është kryer pas daljes së fakteve të reja, si dhe marrjes së deklarimeve nga të dëmtuarit, gjatë ballafaqimit për njohje të tyre me të dyshuarin. Kanushi, është futur në radhët e Policisë së Shtetit, në Komisariatin e Tepelenës, në vitin 2000, dhe në vitin 2001, është larguar për shkurtim të vendit organik. Në vitin 2003, ai është rifutur në polici sërish në radhët e policisë në seksionin e Policisë Rrugore, ku edhe punonte aktualisht.

Grabiste me maskë, kur nuk ishte polic
Burimet zyrtare sqaruan dje në mbrëmje se, ngjarja për të cilën akuzohet i arrestuari ka ndodhur në një kohë, kur ai nuk ka qenë punonjës policie. Megjithatë, i pandëshkuar dhe i pa hetuar asnjëherë për këtë krim të rëndë, Refat Kanushi ka arritur të futet në radhët e policisë, madje të qëndrojë i pa shqetësuar, deri kur ndodhi rihapja e dosjes në bazë të informacioneve operative të marra nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›