E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leskovik, zhduken paratë e KESH

Paratë e arkëtuara të KESH në Leskovik të Kolonjës përfundojnë në xhepat e një shoferi furgoni. 

KOLONJE/ Jorgjeta Gjançi

Ngjarja e pazakontë ndodhi pasi arkëtarja “përtoi” të merrte rrugën nga Leskoviku në Ersekë, për t’i derdhur në arkën qendrore. Arkëtarja Desdemona Naçe ia dha në mirëbesim shumën prej mbi 200 mijë lekë të reja shoferit të furgonit, Ali Kardhiqi, i cili i premtoi se do t’i derdhte në arkë paratë. Por më pas, Kardhiqi i pohoi gruas së arkëtimeve se paratë ia kishin vjedhur pasagjerët. Pas kësaj ngjarjeje, policia nisi hetimet, ndërsa arrestoi personin që mori përsipër të derdhte në arkën qendrore të Ersekës paratë e vjelura tek konsumatorët e Leskovikut. Blutë po hetojnë në gjendje të lirë edhe punonjësen e KESH-it, e akuzuar për shpërdorim detyre. Sipas policisë, Naçe ka pohuar se ia kishte dhënë paratë në mirëbesim për t’ia derdhur në arkën qendrore një shoferi furgoni, që udhëton përditë drejt qendrës së Rrethit të Kolonjës. Por rrugës këtij të fundit i humbasin lekët. Policia bëri të ditur se arkëtarja e KESH-it në Leskovik Desdemona Naçe pas një jave pune për grumbullimin e parave të faturave të energjisë elektrike në qytetin e Leskovikut, dje duhej ta derdhte shumën e parave në arkën qendrore të KESH-it në Ersekë. Në mëngjes doli te furgoni privat që udhëton çdo ditë në Ersekë. Shoferi i kësaj linje Ali Kardhiqi, duke pasur njohje me arkëtaren në prani edhe të banorëve të tjerë të Leskovikut, që do të udhëtonin për në Ersekë, i propozon Desdemonës që t’ia çonte ai lekët në arkën qendrore. “Mos u mundo kot gjer atje. M’i jep mua lekët se i derdh unë në arkë”, mësohet t’i ketë thënë arkëtares drejtuesi i furgonit. Pa i shkuar mendja tek ajo që ndodhi, Desdemona pranoi dhe ia dorëzoi në mirëbesim tufën e lekëve dhe dokumentin shoqërues. Për të qenë e sigurt, ajo lajmëroi me telefon punonjëset e arkës qendrore, që të merrnin paratë që kishte dërguar me shoferin e linjës. Punonjëset në Ersekë, pasi dërgesa e parave po vonohej, lajmëruan sërish kolegen e tyre të Leskovikut, ku i bënë të ditur se personi që ajo kishte autorizuar, nuk ishte paraqitur. Sipas skemës së ngjarjes, e cila është hedhur në procesverbalin e policisë, ajo komunikon me drejtuesin e furgonit që i pohon se lekët ia kishin vjedhur. Në këto rrethana gruaja iu drejtua policisë ku bëri kallëzimin për lekët e humbura. Policia u vu në lëvizje dhe shoqëroi në Ersekë Kardhiqin. Ai deponoi se paratë ia kishin vjedhur pasagjerët. Por policia ka dyshuar tek ky pohim i tij dhe e arrestoi në flagrancë për konsumim të veprës penale të mashtrimit. Njëherësh, filloi çështjen penale edhe për Desdemona Naçe për “shpërdorim detyre”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›