E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet sekseri i pensioneve false

Mashtrimi
Kishte marrë 2 milionë lekë për t'i nxjerrë pension një të moshuari dhe prej një viti nuk kishte kthyer paratë



TIRANE- Oficerët e Antikrimit Ekonomik të Policisë së kryeqytetit, arrestojnë me akuzën e mashtrimit një "sekser" pensionesh që merrte rreth 2 milionë lekë të vjetra, duke iu premtuar njerëzve të ndryshëm nxjerrje pensioni. Lajmi është bërë i njohur për "Shekullin", nga burime të policisë së kryeqytetit, që kanë pohuar arrestimin e Bashkim Veizit, 50 vjeç, banues në Tiranë, i akuzuar për "falsifikim të dokumenteve dhe dosjeve të pensioneve".

Ai është denoncuar nga Nesim T, 54 vjeç, që sipas burimeve të policisë e kishte paguar të ndaluarin që t'i siguronte një pension pleqërie për shkak se ai nuk plotësonte kushtet e nevojshme për të përfituar pension pleqërie. Për këtë qëllim, sipas denoncuesit, ai i kishte paguar Veizit rreth 2 milionë lekë të reja me qëllim, që ai ta përfundonte këtë punë.
Por më tepër se një vit e gjysmë pas pagimit të parave të kërkuara nga i arrestuari i djeshëm, "pensionisti", nuk kishte marë jo vetëm pensionin që kishte kërkuar, por shumën e 200 mijë lekëve të reja që kishte paguar për këtë pension. Denoncuesi mësohet të ketë pohuar në polici se i kishte kërkuar në mënyrë të herë pas hershme Veizit, që së paku t'i kthente paratë, duke qenë se dosja e pensionit të tij nuk kishte qenë e mundur të bëhej.

"Edhe pse ia kisha kërkuar disa herë paratë, ai më thoshte se paratë do t'ia kthente shumë shpejt. Në raste të tjera, ai më përsëriste që shumë shpejt "dosja e pensionit" do të bëhej dhe unë do të shkoja të tërhiqja pensionin në një nga sportelet e zyrës së pensioneve në kryeqytet të cilën do ma thoshte vetë Bashkimi". Kjo histori sipas deklarimit të Nesim T, për hetuesit kishte më tepër se një vit e gjysmë që zgjaste dhe ai nuk po merrte së paku paratë e paguara.
Pas kallëzimit të dhënë nga ai në polici, hetuesit e antikrimit ekonomik kanë nisur kërkimin e tij dhe kanë prangosur Veizin me akuzën e mashtrimit. Gjatë marrjes së tij në pyetje 50- vjeçari i arrestuar ka pretenduar se nuk i ka marrë para dhe se nuk e kishte mashtruar denoncuesin e tij. "Unë vetëm se kam dashur ta ndihmoj",- mësohet t'i ketë thënë i arrestuari hetuesve.

Pavarësisht këtij pretendimi, ai është arrestuar dhe pritet të dalë para gjykatës së kryeqytetit për të vlerësuar masën e arrestit ndaj tij.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›