E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jaho Mulosmani dënohet për së dyti me burgim të përjetshëm

Akuzohej për vrasjen e Bislim Hykës e Isuf bashkurtit, për hakmarrje pas vrasjes së Fatmir Haklajt e Fatmir Dakës

Me gjykim të shkurtuar, Mulosmani, u dënua me 25 vite burg, ndërsa në të njëjtën seancë dënimi iu bashkua dënimi për Azem Hajdarin



TIRANË- Jaho Salihi i dënuar me burgim të përjtshëm për vrasjan e Azem Hajdarit, mori dje dënimin e dytë me burgim të përjetshëm në një seancë që zgjati vetëm 30 minuta, në procesin ku ai akuzohej për vrasjet e Bislim Hykës dhe Isuf Bashkurtit. Falë aplikimit të gjykimit të shkurtuar në këtë proces gjyqësor, Mulosmani i shpëtoi burgimit të përjetshëm duke u dënuar përfundimisht me 25 vite heqje lirie. Po dje Gjykata e Shkallës së Parë e kryesuar nga gjyqtari Petrit Çomo shqyrtoi edhe kërkesën e Prokurorisë për bashkimin e dënimeve, duke vendosur që përfundimisht i pandehuri Mulosmani të dënohet me një burgim të përjetshëm, si për vrasjen e Azem Hajdarit ashtu edhe për vrasjet e Bislim Hykës dhe Isuf Bashkurtit.

Seanca e djeshme gjyqësore, e shtata në këtë proces, ishte parashikuar që të vazhdonte me leximin e konkluzioneve të prokurorit të çështjes, që kërkoi deklarimin fajtor të të pandehurit Jaho Mulosmani për vrasjen e dyfishtë e ndodhur në qendër të Bajram Currit mesditën e 4 gushtit 1999, ku u vranë me breshëri automatiku Bislim Hyka dhe Isuf Bashkurti.

Sipas akuzës, kjo vrasje erdhi vetëm pak orë pasi i pandehuri Mulosmani mori vesh lajmin e vrasjes me minë me telekomandë të shokëve të tij Fatmir Haklaj e Fatmir Daka në fshatin Kërrnajë të Tropojës. Ndërkohë, avokatët mbrojtës, Vladimir Meçi dhe Denion Bogdani, kërkuan nga gjykata, që klienti i tyre të deklarohet i pafajshëm, pasi nuk ekziston asnjë provë apo dyshim që mund ta akuzojë Jaho Mulosmanin për këto dy vrasje. Për pak minuta, trupi gjykues u tërhoq për vendim. Me të hyrë në sallën e gjyqit ata njoftuan deklarimin fajtor të Mulosmanit, për vrasjen e dyfishtë të 4 gushtit 1999 në qytetin e Bajram Currit, duke e dënuar me burgim të përjetshëm. Më parë në këtë proces avokatët e të akuzuarit kishin kërkuar

gjykim të shkurtuar për klientin e tyre. Kështu ai përfiton ulje të 1/3 së dënimit duke marrë përfundimisht 25 vite heqje lirie. Pas këtij vendimi, prokurori i kërkoi të shqyrtonte kërkesën për bashkim dënimesh. Gjykata pasi dëgjoi palët, vendosi që përfundimisht të pandehurin Jaho Mulsomani ta dënojë me burgim të përjetshëm, si për vrasjen e Azem Hajdarit ashtu edhe për vrasjen e dyfishtë të Bislim Hykës dhe Isuf Bashkurtit. Ndërkohë, ka qenë muaji mars i këtij viti kur Gjykata e Lartë e ktheu çështjen për rigjykim, pasi me kërkesë të mbrojtjes konstatoi shkelje të rënda procedurale, shkelje këto që dërguan edhe në kthimin e çështjes për rigjykim.
Sipas vendimit pasditen e datës 4 gusht 1999, kur ish-shefi i Komisariatit të Bajrami Currit kishte marrë vesh se në fshatin Kërrnajë kanë gjetur vdekjen nga minat me telekomandë dy shokët e tij Fatmir Haklaj dhe Fatmir Daka.

Pas këtij lajmi, Mulsomani ka dalë në qendër të qytetit Bajram Curri dhe ka hasur në dy viktimat duke i qëlluar pa paralajmërim me armë automatike "Kallashnikov", të cilët kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. Shkak për këtë vrasje, sipas vendimit, ka qenë dyshimi që Mulsmani ka pasur për pjesëtar të familjes Hyka e Bashkurti si autor të kësaj vrasjeje me telekomandë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›