Vjosa del nga shtrati, përmbyt shtëpi dhe lë pa ujë Selenicën
Reshjet/ Disa banorë kanë mbetur në banesat e tyre të rrethuar nga uji, në pritje të ardhjes së ndihmës
VLORË/FIER - Reshjet e zgjatura të shiut kanë nxitur së fundmi daljen nga shtrati të lumit të Vjosës. Shumë familjarë janë nën kërcënimin e përmbytjeve e 7 shtëpi ndodhen tashmë në ujë. Ujërat e lumit kanë pushtuar në disa zona sipërfaqe toke e banesa. Situata më e rënduar është në komunën e Novoselës dhe bashkinë e Selenicës. Në këtë të fundit, problemet kanë nisur prej dy ditësh për shkak të reshjeve që kanë shkaktuar përmbytje.
Selenicë, 6 mijë banorë pa ujë
Aktualisht mbetet i përmbytur stacioni i pompave të Selenicës, si dhe rruga Bisht Mali në hyrje të Selenicës, e cila është e bllokuar në rreth 2,5 km, ku nuk kalojnë dot automjetet e vogla. Qyteti është prej tri ditësh pa ujë të pijshëm. Kjo për shkak se gjithë ujëmbledhësi është përmbytur dhe për largimin e ujit duhet të pritet sa të pakësohen prurjet e Vlosës që të mundësohet ndërhyrja për pastrimin, si dhe stabilizimin e situatës. Gjithsesi, specialistët parashikojnë se kjo do të kërkojë rreth tri javë dhe të 6 mijë banorët duhet që gjatë kësaj kohe t'i drejtohen zgjidhjeve alternative. Në një raportim të shtabit të emergjencës dje në prefekturën e Vlorës bëhet me dije se furnizimi me ujë po bëhet nëpërmjet autoboteve.
Novoselë, 7 shtëpi e 350 ha tokë të përmbytura
350 hektarë tokë të përmbytur dhe 7 familje të bllokuara nga uji. Këto janë pasojat e deritanishme të përmbytjes në komunën e Novoselës. Dalja e ujërave të Vjosës ka prekur më tepër fshatrat Fitore e Novoselë. Reshjet kanë qenë të pandërprera, ndërkohë që Vjosa kërcënuese nuk ka mbetur më thjesht e tillë. Ujërat e lumit kanë vërshuar vrullshëm rreth orës 12 të natës së mbrëmshme. Kryetari i komunës Novoselë, Rahit Llanaj, tha se fakti që shumica e familjeve ka marrë masat, ka bërë që të mos ketë probleme të rënda.
Duke qenë se Vjosa ka qenë e fryrë ditët e fundit, familjarët kanë zhvendosur objektet shtëpiake te familje të tjera, për të shpëtuar ç'të mundnin. Dje në zonën e Novoselës kanë qenë edhe përfaqësues të pushtetit qendror e vendor, shtabit të emergjencës, të cilët kanë parë në vend situatën. Tokat që gjenden nën ujë janë toka bujqësore dhe toka pyll. Gjithsesi, shumë nga banorët shprehen të shqetësuar për një acarim të mëtejshëm të situatës. Uji i afruar pranë shtëpive dhe bizneseve të tyre, bën që ata ta ndiejnë veten në rrezik, kur prurjet e Vjosës kanë qenë të mëdha këto ditë. Ajo çka ata vetëm shpresojnë, është ulja e nivelit të lumit, ndërkohë që janë funksionale shtabet e emergjencës, të ngritura pranë prefekturës dhe komunës.
Sevaster, izolohet bariu nga rrjedha e ujërave.
Një bari ka mbetur i izoluar në një zonë të thellë të fshatrave të Vlorës, pikërisht në Sevaster. Bllokimi për shkak të ujërave ka bërë që bariu të gjendet në një situatë të tillë së bashku me bagëtitë që kishte në ruajtje. Rrjedha e fuqishme ka shkaktuar izolimin, ndërkohë që pranë prefekturës mësohet se janë marrë masat për ndërhyrje në këtë situatë.
***
Në zonën e Fierit, dalja e lumit Vjosë nga shtrati duke përmbytur jo vetëm fusha të mbjella me prodhime bujqësore të stinës, por edhe shtëpi banimi në disa fshatra, si: Ferras, Kafaraj, Cerven, Bocovë, por më të rrezikuara janë ndërtimet e banesave shumë afër lumit. Te ura e Mifolit janë tre banesa të përmbytura, por pa viktima. Oshëtima e lumit që po vinte me rrëmbim ka bërë që familjet e Qani Shehut, Bajazit Shehut dhe Vladimir Saliasit tëdalin me shpejtësi jashtë ndërtesës. Por disa prej tyre kanë mbetur brenda deri në mëngjesin e së mërkurës, ku edhe kanë mbërritur ndihmat përkatëse, për t'i evaktuar.
Alarmi i daljes së lumit është dhënë mbrëmjen e së martës nga shtabi i emergjencës së prefekturës së Fierit dhe shumë prej banorëve i kishin marrë masat duke nxjerrë sendet shtëpiake duke mos harruar edhe një pjesë të bagëtive apo shpezëve. Deri në orën 10 të paradites së djeshme qindra hektarë tokë ishin nën ujë, ndërsa pritej që në orët në vazhdim niveli të ulej.
Gjithsesi, qindra banorë të fshatit Ferras në mëngjes kishin dalë jashtë duke pritur me ankth uljen e nivelit të ujit. Nga komuna e Levanit ishte dërguar një skrep, i cili po përpiqej të mbushte agjitaturën e një kanali të çarë ku uji i lumit me rrëmbim po depërtonte fuqishëm në fushat e këtij fshati. Niveli i ujit të lumit Vjosë ishte ngritur më shumë afër punimeve të autostradës Levan -Fier, pikërisht te vendi ku po hapej themelet e një ure. Këtu lumi kishte zvogëluar gjerësinë dhe i gjithë uji kishte përmbytur edhe fushat aty pranë, si dhe një pjesë të autostradës në afërsi.
Ndërkohë në vendin e ngjarjes kishte dhe forca të ndërhyrjes së shpejtë, si dhe policia e fierit, të cilat ishin në gatishmëri për ndonjë emergjencë të papritur për sigurimin e jetën banorëve.
Gjithashtu, për të parë nga afër situatën kishte ardhur edhe drejtori i Shtabit të Emergjencës Civile, Alfred Olli, i shoqëruar edhe nga prefekti i Fierit, Bujar Hasaj. Ata kanë parë vendet më të rrezikuara nga dalja e lumit të Vjosë. Sipas Ollit, situata është më të vërtetë shqetësuese, por jo alarmante. "Nga ana e shtabit të emergjencës të prefekturës së Qarkut Fier janë marë të gjitha masat, sidomos për fshatrat që janë prekur ose dëmtuar. Ndërkohë, - u shpreh Olli, - janë evakuar banorët dhe janë masa për mbrojtjen e shtëpive të tyre. Janë angazhuar strukturat e forcave të armatosura, si dhe ato të ndërhyrjes së shpejtë, policisë së shtetit, pa harruar këtu edhe shërbimet e ambulancave.
Gjithsesi, - tha ai, - situata nuk është emergjente, pasi nga informacionet që janë marrë nga Përmeti dhe Tepelena ka një renie të niveleve të ujërave në drejtim të Vjosës, ku në Përmet ka një rënie të nivelit në dy metra dhe në Tepelenë niveli ka rënë me 1,5 metra". Ndërsa për tre familjet që deri pasdite ende ndodheshin të izoluara nga ujërat e lumit, sipas tij, janë marrë të gjitha masat për të qenë në gatishmëri për t'i larguar në rast rreziku. Për të gjitha shtëpitë e prekura nga përmbytja pritet të ngrihet një komision vlerësimi për dëmshpërblimin e tyre.