Emigranti ekzekutohet në derë të shtëpisë
Arben Visha, 39 vjeç, është vrarë dje në mbrëmje në Tufinë me armë zjarri nga persona të panjohur. Kërkohet një person me pasaportë angleze
Shoqërohen në polici 20 persona ndërsa dyshimet e policisë lidhen me një vrasje të vjetër të vitit 97
TIRANË- Vritet para shtëpisë emigranti, i kthyer për një kohë të shkurtër nga Greqia. Arben Visha, 39 vjeç, banues në Tufinë, është ekzekutuar me dy plumba me armën tip pistoletë, vetëm disa metra larg hyrjes së banesës së tij, mbrëmë rreth orës 20 .00, ndërsa akoma nuk janë identifikuar autorët e dyshuar të vrasjes së tij. Viktima vetëm pak minuta para se të ekzekutohej kishte dalë nga një kafe, ku kishte qëndruar për një farë kohe.
Ngjarja e rëndë ku mbeti i vdekur Visha ndodhi në rrugën " Myslym Keta", në " Shtish Tufinë" në çastet kur ai sapo kishte lënë lokalin që po frekuentonte dhe po hynte në banesën e tij. Ndërkohë, nga informacionet paraprake në lidhje me ngjarjen nuk bëhet i ditur ndonjë motiv për ekzekutimin e Arben Vishës, si dhe nuk janë identifikuar personat që kanë kryer krimin.
Dyshimet e policisë janë drejtuar mbi një hasmëri të mundshme të viktimës me një familje në një fshat të Tiranës, ndërsa është verifikuar edhe një konflikt i djeshëm. Ndërkaq, burimet e policisë kanë pohuar se po kërkojnë një person me pasaportë angleze.
Menjëherë pas ngjarjes, vendi ku ndodhet shtëpia e 39 -vjeçarit është rrethuar nga forca të shumta të policisë të cilët kanë nisur hetimet për të zbardhur motivet dhe autorët e ngjarjes. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, nga efektivat e policisë dhe ekspertët e zyrës së vrasjeve në Policinë e kryeqytetit, mësohet se në vendin ku u qëllua për vdekjeVisha, ekspertët kanë gjetur tetë gëzhoja, por trupin e viktimës e kanë përshkuar vetëm dy plumba.
Viktima është dërguar në Spitalin Ushtarak, por pa mundur të mbijetojë, për shkak të plumbave që kishte marrë. Ngjarja ka ndodhur kur pranë shtëpisë së Vishës nuk ka patur lëvizje të banorëve, ndërsa fqinjët e viktimës kanë dëgjuar krismat në banesat e tyre. Sipas burimeve të policisë mësohet se viktima kishte tre fëmijë dhe ishte kthyer nga Greqia pranë familjes për një kohë të shkurtër, për t'u kthyer përsëri në vendin fqinj vetëm pas disa ditësh.
Policia e kryeqytetit, pas ngjarjes ka marrë në pyetje fillimisht familjarët e 39- vjeçarit Arben Visha, të cilët kanë rrëfyer për aktivitetin e të afërmit të tyre gjatë ditëve të qëndrimit në Shqipëri. Si dëshmitarë, blutë kanë pyetur edhe fqinjë të viktimës, ku kanë dëshmuar për ndonjë konflikt të mundshëm të Vishës.