E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet sekseri i provimeve në shkollat e larta

Gënjente me pikën më të
dobët që kanë prindërit
për fëmijët: shkollimin.
U merrte para
duke premtuar se i çonte te pedagogët,
por nuk i kthente më kurrë,
edhe pse nuk mbaronte asnjëherë
"punë". Mashtrimet me
provime dhe premtimet për futjen
në shkollën e lartë kanë çuar
pardje në pranga një 64-vjeçar.
Shefqet Merra është arrestuar dy
ditë më parë nga policia, pasi
Gjykata e Tiranës e ka dënuar me
tre vjet e gjashtë muaj burg, pasi
është akuzuar për mashtrimin e
disa personave. Lajmi është bërë
i ditur nga burime zyrtare të Policisë
së Shtetit. Sipas vendimit të
dhënë nga gjykata e kryeqytetit
është mësuar se Merra kishte
mashtruar disa persona, të cilëve
u kishte premtuar marrjen e provimeve,
futjen në shkollë të fëmijëve,
kundrejt shumave të ndryshme
të parave. Ai kishte marrë
më shumë se 5 mijë euro, për të
hyrë mik në Fakultetin e Mjekësisë
për t‘i dhënë një provim një
studenteje, ndërkohë që një
tjetër person kishte dhënë një
shumë parash që vajza e tij të
regjistrohej me shtesat në Fakultetin
e Infermierisë. Por të gjitha
këto kanë qenë mashtrime.
Gjithashtu ai u kishte premtuar
dhe disa personave të tjerë,
ndere të ndryshme në këmbim të
shumave të ndryshme të parave.
Provimi
I arrestuari Merra kishte
mashtruar një studente, duke i
premtuar se, në këmbim të
parave, do t‘i jepte një provim.
Anila Q., në vitin 2004, ka qenë
studente e Fakultetit të Mjekësisë,
viti IV. Në muajin nëntor, ajo
ka qenë në dekanatin e këtij
fakulteti, për të marrë një fletë
provimi, për të dhënë provimin e
mbartur. Gjatë qëndrimit në të
është takuar me fqinjin e saj,
rojën private të dekanatit, të cilit
i kishte treguar për problemin që
e shqetësonte. Ai e ka drejtuar tek
i arrestuari. Merra i kishte thënë
se, duhej të paguante 50 mijë lekë
dhe një mikesha e tij në Ministrinë
e Arsimit do ta rregullonte punën.
Studentja ka paguar shumën e
parave, por nuk ka marrë
provimin. Ajo e ka kërkuar Merrën,
por nuk e ka gjetur. Edhe familjarët
e tij kanë deklaruar se nuk e
dinin ku ndodhej ai. Pas kësaj,
studentja ka bërë denoncimin në
polici për mashtrim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›