E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet shpërndarësi i heroinës, ishte dënuar edhe më parë për trafik



ELBASAN – Një shpërndarës droge në rrethin e Elbasanit ka rënë sërish në pranga për të njëjtën vepër penale. Burimet zyrtare të policisë vendore bëjnë të ditur se është arrestuar në flagrancë shtetasi Ilirjan Faca, pasi akuzohet për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve e kryer më shumë se një herë. Ndalimi i 28-vjeçarit u bë në orët e vona të së dielës. Sipas burimeve policore, Faca, lindur e banues në Elbasan, ishte dënuar më parë në vitin 2005 për mbajtje të lëndëve narkotike. Burimet saktësojnë se arrestimi i 28-vjeçarit u bë pas një kontrolli të ushtruar në mjetin e tij të tipit “BMW” me targa TR 4992 M, ku iu gjetën dhe u sekuestruan nën cilësinë e provës materiale 2 gram lëndë narkotike të llojit heroinë. Mësohet se në momentin e kontrollit të mjetit të tij, 28-vjeçari ka kundërshtuar punonjësit e policisë. Aktualisht Ilirjan Faca ndodhet në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë së Elbasanit në pritje të hetimit për konsumimin e veprës penale “prodhim dhe shitje e narkotikëve e kryer më shumë se një herë”.

Trafiku klandestin, ndalohen 4 kosovarë në Portin e Durrësit

DURRËS – Linja e trafikut klandestin përmes falsifikimit të dokumenteve të identitetit nga Kosova në Durrës dhe më pas drejt Italisë vazhdon të mbetet shqetësim për autoritetet portale shqiptare. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit njoftojnë se vetëm tri ditëve të fundit janë ndaluar katër shtetas kosovarë, të cilët po tentonin të udhëtonin në Itali me letërnjoftime dhe dokumente të tjera false. Sipas tyre, ditën e hënë është ndaluar shtetasi Arben Selmani, lindur në Peran, të komunës Podujeve dhe banues në Prishtinë. Arrestimi i 25-vjeçarit u bë për veprat penale të falsifikimit të dokumenteve dhe falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave. “Ditën e hënë rreth orës 05.00, ai është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare, duke tentuar të hyjë në territorin shqiptar në mënyrë të paligjshme, me një pasaportë kroate dhe një kartë identiteti të UNMIK-ut, të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara”, - thuhet në njoftimin zyrtar të policisë. Ndërsa tre ditë më parë u ndaluar edhe bashkatdhetari i tij Alban Kastrati, lindur dhe banues në fshatin Magjarë, të komunës Malishevë. Arrestimi 19-vjeçarit Kastrati u bë pasi është kapur në flagrancë nga Policia e Portit duke tentuar të kalojë kufirin drejt Italisë me një nga tragetet e linjës Durrës- Bari, me një pasaporte jugosllave dhe një leje-qëndrimi zvicerane, të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara. Në pranga ka përfunduar edhe Dritan Hoxha, lindur në Prizren dhe banues në Vlashnjë. Arrestimi i 34-vjeçarit u bë për veprat penale të falsifikimit të dokumenteve dhe falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave. Edhe Hoxha posedonte leje-qëndrimi zvicerane dhe pasaportë jugosllave, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara. Zëdhënësja e Policisë së Qarkut, Ornela Cako bëjnë të ditur se për të njëjtën vepër penale u ndalua edhe Bahri Xhemajli, lindur dhe banues në Lluçan të Kosovës. Sipas tyre, 28-vjeçari Xhemajli u ndalua, teksa po tentonte të hynte në territorin shqiptar me një pasaportë jugosllave, e dyshuar si e falsifikuar. Muajt e fundit janë shënuar me dhjetëra raste të kalimit me dokumente të falsifikuara nga shtetas nga Kosova përmes Portit të Durrësit drejt Italisë, apo anasjelltas.

12 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›