E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafikantët e heroinës kalojnë policinë shqiptare, kapen nga malazezët



Albert Gjoka

HANI I HOTIT – Dy shtetas nga Shqipëria dhe një nga Kosova, trafikantë heroine, kanë arritur t’i kalojnë kontrollit policor në kufirin e Hanit të Hotit, por janë ndaluar nga kolegët në vendin fqinj. Burimet zyrtare të Policisë së Malit të Zi bëjnë të ditur se të dielën në mëngjes janë ndaluar Erand Dulaj, Albert Gjonaj me shtetësi shqiptare dhe Pren Thaçi, me banim në fshatin Osjek të Prizrenit, pasi iu janë gjetur 4.7 kilogramë heroinë në mjetin e tyre me targa MA 1297 D. Sipas kanalit shtetëror të Podgoricës, lënda narkotike ishte e fshehur në pjesë të ndryshme të makinës. Në lidhje me këtë tentativë të trafikut të heroinës kanë nisur hetimet nga autoritetet malazeze, ndërkohë që tre të ndaluarit iu dorëzuan Gjyqit të Lartë në Podgoricë.
Arrestimi
Ditën e diel në mëngjes, duke përfituar nga fakti se autoritetet kufitare të Shqipërisë dhe Malit të Zi punojnë me stafe të reduktuara, tre trafikantë droge kanë tentuar të fusin një sasi të konsiderueshme heroine në territorin malazez. Eran Dulaj dhe Albert Gjonaj, të cilët dyshohet se janë nga Malësia e Madhe, së bashku me Pren Thaçin nga rrethinat e Prizrenit, janë paraqitur në pikën kufitare të Hanit të Hotit. Ata po udhëtonin me mjetin tip “Benz” me targa shqiptare MA 1297 D. Pasi janë bërë verifikimet e rastit nga Policia Kufitare shqiptare, tre personat në fjalë kanë mbetur në rrjetën e kontrollit policor malazez. Në pikën e Bozhajt ata dhe mjeti i tyre i janë nënshtruar një verifikimi të hollësishëm. Në përfundim, autoritetet kufitare të shtetit fqinj gjetën në gomën rezervë të makinës 5 kuti të mbështjella me natriban. Brenda tyre ndodheshin 4.7 kilogramë heroinë. Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë malazeze, Tamara Popoviç, njofton se Dulaj, Gjonaj dhe Thaçi po vinin nga Shqipëria në Mal të Zi. Sipas saj, lënda narkotike është gjetur në veturën tip “Benz Mercedes” me targë MA1297D.
Hetimet
Burimet zyrtare të policisë së shtetit fqinj pohojnë se me arrestimin e tre personave i kanë prerë lidhjen një rrjeti të trafikut të heroinës nga Shqipëria drejt Malit të Zi. “Të dyshuarit Gjonaj, Dulaj dhe Thaçi, së bashku me kallëzimin penal iu dorëzuan gjykatësit hetues në Gjyqin e Lartë në Podgoricë”, - thuhet në lajmin e televizionit shtetëror të Podgoricës. Sipas hetimeve, dyshohet se shkak për trafikun e heroinës është bërë prania e shumë turistëve të huaj në plazhet malazeze gjatë kësaj vere. Deri më tani, në epiqendër të punës hetimore të policisë shqiptare ka qenë linja e Kakavijës dhe Kapshticës. Gjatë vitit 2007 janë shënuar me dhjetëra raste të tentativave për trafikun e heroinës drejt Greqisë. Vendi i origjinës së heroinës dyshohet të jetë Turqia, ku malli futet transit në Shqipëri përmes Maqedonisë apo Kosovës. Tashmë, autoritetet policore shqiptare po shqyrtojnë rastin në fjalë nëse flitet për një rrjet të mirë-organizuar të trafikut të heroinës drejt Malit të Zi, apo flitet për një përpjekje sporadike. Ende nuk ka të dhëna zyrtare nëse janë marrë masa penalizuese ndaj stafit të Policisë Kufitare në Hanin e Hotit.

12 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›