Udhëtari nga Kosova qëllon me grushte 3 policë, ndalohet
DURRËS – Në një moment tensioni nga pasagjer nga Kosova, i cili po priste në Portin e Durrësit për të kryer procedurat, ka ushtruar dhunë ndaj tre policëve, por më pas është ndaluar. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut bëjnë të ditur se u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Avdullah Bala, lindur dhe banues në Dumnicë të Llushtrisë në Kosovë për veprat penale të “kundërshtimit të punonjësit të Policisë së Rendit dhe goditjes për shkak të detyrës”. Sipas tyre, mesditën e së shtunës 51-vjeçari Bala, teksa ndodhej në vendin e quajtur “Terminali i Pasagjerëve”, në Portin Detar të Durrësit, ka kundërshtuar dhe goditur me grushte tre punonjës të Policisë Kufitare, të cilët ishin në detyrë. Zëdhënësja e Policisë, Cako, bën të ditur se “materialet procedurale iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së rrethit të Durrësit”.
Policia Kufitare e Gjirokastrës ndalon 273 klandestinë
KAKAVIJË- Rreth 365 klandestinë kanë tentuar të kalojnë kufirin shqiptaro-grek nga Gjirokastra gjatë kësaj periudhe të fluksit të kthimit të emigrantëve. Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në Gjirokastër, nga Policia Kufitare shqiptare janë kapur 273 shtetas, të cilët kanë tentuar të kalojnë kufirin në mënyrë ilegale. Ndërsa policia greke ka deportuar 128 persona. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se edhe pse janë kapur 273 persona, nuk ka asnjë të arrestuar si udhërrëfyes ose si organizator. Në pjesën më të madhe të rasteve klandestinët janë në grupe me dy ose tre vetë. Në krahasim më një vit më parë, numri i emigrantëve që tentojnë të kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme është ulur dyfish. Sipas policisë kufitare, kjo ka ardhur falë masave që kanë marrë dhe se në këtë periudhë në Greqi nuk ka shumë punë për klandestinët.
12 Gusht 2008