Kapet shqiptari i kërkuar për vrasje
ITALI – Identiteti i rremë i kishte dhënë gjithë të mirat në shtetin fqinj shqiptarit të dënuar me 20 vjet burg për vrasje. Por pas 6 vitesh “lumturi” ai është prangosur dje nga policia italiane. Edmon Hysaj, 37 vjeç u arrestua dje në provincën e Spezias në Itali. Arrestimi i Hysajt ka ardhur pasi ai rezultonte i dënuar me 20 vjet heqje lirie nga drejtësia shqiptare për një vrasje të kryer në vitin 1999 në Vlorë. Ndërsa ishte dënuar në mungesë, në vitin 2002 ai ka mbërritur në Itali, më anë të një pasaporte të falsifikuar me gjeneralitetet Armando Kurti. Me anë të kësaj pasaporte ai është integruar plotësisht në shtetin ku emigroi. Mediat italiane bënë të ditur dje se, Hysaj kishte siguruar leje qëndrimi, patentë për drejtim automjeti, si edhe pronësinë e një aktiviteti privat, të gjitha këto të ligjshme nën emrin Armando Kurti. Identifikimi i Hysajt është bërë vetëm nëpërmjet fotove, pasi gjurmët e tij të gishtërinjve nuk zotëroheshin nga shteti shqiptar. Mësohet se në ditët në vazhdim gjykata e Gjenovës do të japë masën e “arrestit më burg” për të deri në pritje të kërkesë për ekstradim nga qeveria shqiptare.