E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, pranga vrasësve të Dhampirit në Shkodër

 

ITALI- Arrestohen dy vëllezërit shqiptarë të kërkuar për vrasjen e Jetmir Dhampirit në Shkodër në vitin 2000. Genci dhe Taip Katica, u arrestuan nga policia italiane në Breshia në banesën e tyre, në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të nxjerrë ndaj tyre nga Gjykata e Shkodrës në prillin e këtij viti. Arrestimi i vëllezërve Katica të akuzuar për vrasje është bërë i ditur zyrtarisht dje nga Policia e Shtetit. Sipas saj, Zyra e Interpol Tiranës ishte njoftuar nga homologët italianë, se dy vëllezërit, ishin arrestuar në qytetin e Breshias, në një banesë të tyre. Më pas atyre iu është komunikuar akuza e vrasjes së kryer me dashje në bashkëpunim. Para arrestimit të dy vëllezërve për këtë akuzë, policia italiane kishte arrestuar Genci Katicën, për trafik dhe shitje droge në veri të Italisë, por deri në arrestimin e vëllait tjetër, është kërkuar që ai të lihej në arrest shtëpie. Në ngjarjen e verës së vitit 2000, dy vëllezërit akuzohen se kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti të markës “Lancia”, në të cilën ndodheshin Jetmir Dhampiri dhe Ardian Bregasi. Prej të shtënave ka mbetur i vrarë Jetmir Dhampiri. Nga hetimi i kryer nga policia e Shkodrës, i ngjarjes së vitit 2000, policia ka mundur të zbardhë ngjarjen duke identifikuar si autorë të krimit dy vëllezërit që aktualisht ndodhen në arrest në Itali. Policia ka identifikuar autorët e krimit pas një hetimi disamujor, ndërsa Gjykata e Shkodrës në muajin prill ka marrë për të masën e arrestit në mungesë, me akuzat e “armëmbajtjes pa leje në bashkëpunim” dhe “vrasjes me dashje në bashkëpunim”.                                                                        d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›