E Shtunë, 31 Tetor 2026

Violinisti: Për Ausburgun, moramalin në këmbë

 

ANILA MEMA

18 vite më parë, i është dashur t’i ngjitet malit në këmbë, për të kaluar kufirin shqiptar të Qafë Thanës. Demonstratat e fillimviteve të demokracisë, varfëria, ushqimi në mensë, godinat e studentëve, që fusnin gjithë shiun brenda, e shtyn  të shiste gjithë orenditë e shtëpisë e të linte Shqipërinë. Ishte një djalë i ri në moshë, me një violine mbi shpinë e plot ëndrra në xhep. Sapo kishte marrë studimet e para në Akademinë e Arteve. Për fizikën e matematikën, nuk donte t’ia dinte më. Bashkë me të vëllamë, më i madh në moshë, Markeljan Koçibelli, nisi udhëtimin e tij ilegal drejt Jugosllavisë e më pas drejt Gjermanisë, ku edhe sot është pjesë e teatrit të operas të Ausburgut. Violinisti shqiptar, sot ndodhet në Shqipëri. Dje pas mbi dhjetë vitesh, u ngjit sërish në skenën shqiptare, për të interpretuar pak Moxart, të cilin tashmë e njeh mirë, jeton në vendlindjen e tij. Por bashkë me “Kamersolistët e Ausburgut”, njeh edhe orkestrën e drejtuar nga mjeshtri Hermann Mayer.   
Si ka ndodhur që e latë Shqipërinë. Prej sa vitesh jetoni në Gjermani?
Ka qenë viti 1991, kur unë hyra në Institutin e Lartë të Arteve, vit kur sapo filluan edhe rrëmujat e para në vend. Ishim të rinj, pas institutit dilnim, por këto rrëmujat ishin të sikletshme. Më kujtohet që ushqimi në mensë ishte shumë i keq, s’kishte drita, binte shi, godinat e universitetit ishin në gjendje të padurueshme dhe aty filluan edhe këto lëvizjet, largimet...Të flas tani pas kaq vitesh duken gjëra abstrakte këto që them, por në ato vite këto lëvizje edhe filmoheshin nga Sigurimi i Shtetit. Mua më kapi frika, se mendoja se mund të më kishin filmuar gjatë vendimit tim për ta lënë Shqipërinë. Zanati ynë ka një të mirë, por ka edhe një të keqe, se mua po të më hiqnin të drejtën e shkollës, unë nuk isha i aftë, për të studiuar diçka tjetër, matematikë apo fizikë. I kisha nënvlerësuar këto lëndë pasi u mora vetëm më violinën. Ky ishte shkaku kryesor, që unë u largova nga Shqipëria.
Drejt ç’vendi u nisët?  
Bashkë me vëllain tim, më të madh se unë në moshë, vendosëm të largoheshim nga ky vend. Me të fola nëpërmjet telegramit. Shitëm orenditë e shtëpisë, lavatriçe e frigorifer dhe ikëm. Pas Shqipërisë, mbërritëm në Jugosllavi me shumë sakrifica kemi arritur në Lubjanë dhe prej saj, po me shumë sakrifica kemi arritur në Gjermani më 12 mars të 1991.
Cilat qenë kontaktet tuaja të para, në këtë vend, puna, njerëzit?
Me mbërritjen në Gjermani, nuk e mendoja të hyja në shkollë, pasi kisha marrë me vete veglën time, violinën. Gjithmonë kërkoja punë të mbijetoja, por prapë pasioni mbetet pasion. Ndaj sakrificën që ka bërë vëllai im për mua nuk mund t’ia harroj. Ai filloi të punonte dhe unë nisa të studioja. Lekët m’i paguante ai. Pas dy vitesh pasi u ambientova, u njoha me disa njerëz, arrita dhe mora bursë nga shteti e më pas nisën dhe koncertet. Kaluan shumë vite, dhe më pas hyra në shkollën e lartë të Mynihut, ku studiova për pesë vjet dhe bëra edhe master. E mandej fillova të bëja aplikime në konkurse të ndryshme për të gjetur ndonjë vend pune.
Si ka qenë hera e parë kur jeni ngjitur në skenën gjermane?
Në Gjermani fillimisht kam luajtur nëpër festa të vogla, nëpër mbrëmje të vogla. Pro hera e parë më kujtohet shumë mirë. Gjatë gjithë sakrificës sime dhe të vëllait, gjatë rrugës për në Gjermani, violina pësoi një krisje. Më kishin ftuar në një koncert për kritlindje afër Mynihut, në qytetin ku jetoja në Tahom. Do të interpretoja një arie. Gjatë lojës sime, dallohej që violina ishte e thyer . pas festës, pas koncertit dirigjenti më dha një zarf. Mendova se do të ishte ndonjë falënderim për interpretimin a diçka e tillë, por kur e hapa pashë se kisha disa lekë. Gjithë kori kishin dhënë lekë që unë të riparoja violinën. Unë s’iu kisha thënë asgjë për këtë, ata e kishin dëgjuar dhe e kishin parë kur e kisha lënë violinën. Dhe më ngeli në kujtesë, vlerësimi i tyre që më bën dhe më krijuan mundësinë të riparoja violinën. Ishte hera e parë që jepja koncert jashtë shqipërisë.
E pas kësaj here të parë, si arritët të bëheshit pjesë e orkestrës së Ausburgut?
Gjithmonë doja të rrija në zonë bavareze, sepse aty bëja edhe shkollën, edhe jetoja. Konkurrova dhe hyra në këtë orkestër ku edhe sot e kësaj dite, ndihem shumë i kënaqur dhe jam shumë shok me pjestarët e tjerë të orkestrës. Ishte një rastësi e këndshme për mua. Ausburgu është një qytet i vogël, por një qytet me shumë tradita, ndër më të vjetrit e Austrisë, pasi po të mos ishte Ausburgu, sot nuk do kishim Moxart.
Dhe dorëshkrimet e Moxart ishin arsyeja që erdhët për të interpretuar në Shqipëri?
Veç tyre, edhe pjesëtarët e orkestrës së Ausburgut, gjithmonë më pyesnin, si është Shqipëria, jemi kuriozë të dimë, ta njohim, ta shohim, kemi dëgjuar shumë. Tani doli një libër i ri “Shqipëria 2008” dhe më tepër dinin ata për vendin tim se ç;kishte ndodhur se sa unë. Në 2004 bëmë një turne në Brazil dhe gjatë këtij turi më lindi ideja se po të njëjtin koncert mund ta bënim edhe në Shqipëri. Por aty arrita të kuptoj se nuk ishte edhe aq e lehtë të krijosh koncerte të tilla, të merresh me procedura të shumta që duhen kapërcyer, si organizimi, financimi, menaxhimi, por ja me ndihmën e shumë dashamirësve e realizuam edhe këtë koncert në Tiranë.
Si ishin fillimet e një artisti shqiptarë, mes artistëve të njohur në Ausaburg?
Gjithmonë muajt e parë. vitet e para janë të kufizuara, sa të hysh në temë, të njohësh gjuhën, traditat, por pastaj nuk ka ndonjë pengesë. Kur te jepet mundësia të luash me dirigjent të mirë, violinistë të mirë, artistë të ardhshëm, si të thuash, i përshtatesh ambientit, mëson nga të gjithë, nëse do të mësosh. Pastaj teatri ka çdo mbrëmje koncerte, ka opera, ka balet, ka solo, ishte e përditshme kulturore, që sidoqoftë do të mësoje.
Pas sa vitesh ktheheni në skenën shqiptare?
Në fakt isha në gusht për pushime në Shqipëri, megjithëse ndenja shumë pak. Por në skenë mund të kem rreth 12 vjet që nuk interpretoj. Që nga koha e spektaklit “12 në hollivud”, kur kam ardhur për të interpetuar. Bashkë me bashkëshorten time, Michaela Kuntz, dje bëm një shëtitje në këmbë në Tiranë dhe pamë ndryshimet dhe unë gëzohem kur shoh rregullime, ndryshime të tilla, më bëhet qejfi.

Orkestra 150-vjeçare e Ausburgut në TKOB
“Kamersolistët e Ausburgut” një nga formacionet gjermane me 150 koncerte në të gjithë botën kanë dhënë koncert dje në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë. Nën dirigjimin e mjeshtrit të madh Hermann Mayer, orkestra e famshme, për dy orë më radhë ka interpretuar një repertor të veçantë muzikor me vepra të Vivaldit, Bahut, Moxartit, Donizetit, Dvorakut e shumë të tjerë. Mbi 150 koncerte të muzikës instrumentale, asaj korale dhe të përbashkëta mbi 19 vjet nga krijimi, dëshmojnë suksesin e solistëve të Ausburgut. Nga fillimet e muzikës baroke deri tek ajo bashkëkohore përfaqësohen në koncertet e tyre, duke mos lënë pas dore as epokat e tjera. I kanë shtuar repertorit të tyre edhe vepra të tjera programatike apo të lidhura ngushtë me letërsinë, që kanë lënë gjurmë në kryeveprat e së kaluarës e deri më sot. Një vlerësim të veçantë kanë marrë solistët e Ausburgut, lidhur me prezantimin e dorëshkrimeve dhe partiturave historike, që i kanë rivlerësuar në jetën artistike, duke i nxjerrë në dritë. Kjo si për veprat instrumentale është dhe për oratorët. Për këtë të fundit kanë themeluar, që në vitin 1994 Ansamblin koral të Solistëve të Ausburgut, që ka pasuruar akoma më shumë veprimtarinë e tyre. Por mbrëmja konceptore e tyre nuk do të mjaftohet vetëm në skenën e TKOB në Tiranë. Turi i tyre do të udhëtojë edhe në disa prej skenave më të njohura të qyteteve shqiptare si Shkodër, Durrës, Fier dhe Korçë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›