E Shtunë, 31 Tetor 2026

Premio për Portugalinë, Kombëtarja drejt sherrit

 

Jetmir Halilaj

Lojtarët e Kombëtares shqiptare do të marrin 50 mijë euro në total, për barazimin 0-0 që arritën në Portugali më 15 tetor. Vendimin e ka marrë dje Komiteti Ekzekutiv, i cili në fakt nuk e ka përcaktuar shumën që do të përfitojë secili lojtar për këtë ndeshje. Nëse shuma prej 50 mijë eurosh ndahet në mënyrë të barabartë mes të gjithë lojtarëve (22 të grumbulluar), atëherë çdo njëri prej tyre përfiton afërsisht dy mijë e dyqind euro, por kjo ka pak gjasa të ndodhë, duke qenë se futbollistët do t’i ndajnë vetë paratë. Ndryshe nga herët e kaluara, kur FSHF-ja përcaktonte shumën e parave që do të merrnin lojtarët për kokë, pas një rezultati pozitiv, këtë herë Komiteti Ekzekutiv vetëm sa ka përcaktuar shifrën totale, ndërsa ndarjen e parave tek lojtarët ia ka lënë në dorë stafit drejtues dhe disa prej senatorëve të skuadrës. Lajmin e kanë bërë të ditur burime zyrtare pranë Federatës, e cila në fakt në komunikatën e saj për shtyp nuk ka dashur të zbardhë as shumën e parave të vëna në dispozicion të futbollistëve dhe as mënyrën se si do t’u shpërndahen ato. Në pamje të parë duket sikur nuk është ndonjë problem i madh, duke qenë se një pjesë e mirë e kuqezinjve kanë paga të majme në klubet e tyre dhe mund të mos mendojnë shumë për premiot që akordon FSHF-ja, mirëpo ka edhe nga ata, të cilët kanë paga shumë më të ulëta dhe që shpërblimet pas ndeshjeve të Kombëtares i vlerësojnë tej mase. Për më tepër, do të jetë e vështirë që të gjithë ata që hynë në fushë, të cilëve iu desh të jepnin më shumë se 100 për qind nga vetja e tyre për pikën që morën në Bragë, të pranojnë që të shpërblehen njësoj me lojtarët që nuk luajtën asnjë minutë. Edicionin e kaluar, pas barazimit që mori Shqipëria ndaj Sllovenisë, Bullgarisë dhe pas dy fitoreve me Luksemburgun, Federata akordoi shpërblime të majme për lojtarët. Në momentin që një përfaqësuese e institucionit të FSHF-së filloi të ndante premiot, gjë që preferoi ta bënte në hollin e hotelit ku ishte akomoduar skuadra asokohe, lojtarët u irrituan tej mase kur panë që shpërblimet që po merrnin nuk ishin ato të premtuarat. Një pjesë e mirë e futbollistëve, madje edhe nga ata që luajnë jashtë, u nervozuan tej mase kur konstatuan se shuma e eurove që po merrnin nuk ishte ajo që u ishte premtuar publikisht nga vetë drejtuesit e Federatës. Disa nga futbollistët që kishin luajtur si titullarë në ato ndeshje shprehën hapur pakënaqësinë se nuk mund të trajtoheshin njësoj me të tjerët që nuk kishin luajtur asnjë minutë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›