E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet trafikanti, kaloi 20 klandestinë për 2 mijë euro

 

Etleva Delia

Policia e kryeqytetit arrestoi dje një 36-vjeçar, me akuzën e trafikimit të qenieve njerëzore dhe kalim të paligjshëm të kufirit. Gëzim Hoxha është arrestuar nga oficerët e antitrafiqeve, pas gati një muaj e gjysmë hetimesh dhe përgjimesh të zhvilluara ndaj tij. Gjykata e Tiranës, pasi ka shqyrtuar dosjen e përgjimeve telefonike në ngarkim të tij, ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg, më datë 13 shkurt 2008. Menjëherë pas masës së sigurisë, 36-vjeçari nga Bilishti i Korçës është vënë në pranga në kryeqytet. Burime nga policia bënë të ditur se deri tani është dokumentuar kalimi i paligjshëm i kufirit me Greqinë, i të paktën 20 klandestinëve. Ndërkohë që vazhdojnë verifikimet edhe për bashkëpunëtorë të Hoxhës në linjën e trafikut, por edhe të personave të tjerë që mund të kenë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme me ndihmën e të arrestuarit.
TRAFIKU
Prej një muaj e gjysmë hetimesh, oficerët e Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Tiranë, kanë marrë në hetim 36-vjeçarin Gëzim Hoxha, pas disa denoncimeve në ngarkim të tij, për trafik klandestinësh. Ndërkohë ishte marrë edhe konfirmimi në gjykatë për vënien e tij në përgjim me qëllim dokumentimin e aktivitetit kriminal. Bisedat telefonike me persona, të cilët kërkonin të kalonin ilegalisht kufirin me Greqinë, kanë zbuluar linjën e trafikut, si dhe pazaret që bënte 36-vjeçari me "klientët" e tij. Burime nga policia bënë të ditur se të paktën deri tani janë verifikuar 20 raste trafikimi në këtë mënyrë dhe se shuma që Hoxha merrte për një person ishte 2000 euro. Linja e trafikut niste në shumicën e rasteve nga Tirana, në drejtim të Korçës e më pas në Greqi. Të njëjtat burime bënë të ditur se dyshohet edhe për raste të tjera, pasi në këtë mënyrë mund të kenë kaluar klandestinë drejt shtetit helen edhe persona të tjerë.
HETIMI
Përveç arrestimit të Gëzim Hoxhës, policia ka shoqëruar për të marrë në pyetje persona të njohur të tij dhe të afërm, pasi dyshohet se ai mund të ketë pasur edhe bashkëpunëtorë të tjerë. Ndërkohë burime nga policia bënë të ditur që nuk përjashtohet mundësia që Hoxha mund të ketë bashkëpunuar edhe me ndonjë polic të Pikës Kufitare të Kapshticës. Hetimet kanë nisur edhe në vendkalimin kufitar, ku mund të shoqërohen disa persona.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›