Konsumon një sasi helmi, vdes 37-vjeçari në Tiranë
TIRANE - Një 37-vjeçar nga kryeqyteti ka humbur jetën në spital, pas konsumimit të një sasie helmi, ende të papërcaktuar. Familjarët e kanë dërguar të shtunën në mbrëmje në Spitalin Ushtarak, duke pretenduar se ai vuante nga zemra dhe se po nxirrte shkumë nga goja e më pas Armando Zogu ka gjetur vdekjen. Më pas të afërmit e tij sërish kanë thënë që vdekja e tij është natyrale, pasi ai prej kohësh vuante nga sëmundje zemre. E me gjithë këmbënguljen e familjarëve për një vdekje natyrale të 37-vjeçarit Zogu, mjekët e Spitalit Ushtarak kanë këmbëngulur që të bëhej ekspertiza mjeko-ligjore e tij dhe e kanë dërguar në Morgun e Tiranës. Ekspertiza mjeko-ligjore ka rezultuar krejt ndryshe nga pretendimet e familjarëve. Zogu jo vetëm që nuk kishte vdekur në mënyrë natyrale, por dyshohet për një vetëhelmim, apo edhe helmim me qëllim. Burime nga Mjekësia Ligjore bënë të ditur se në trupin e Armando Zogut janë gjetur disa substanca helmuese, por ende nuk janë përcaktuar se të çfarë lloji. Ndërkohë burime nga policia bënë të ditur se kanë nisur hetimet në lidhje me këtë ngjarje, për të vërtetuar nëse është vetëhelmim, apo janë të implikuar familjarët e tij, që ngulnin këmbë për një vdekje natyrale. Të njëjtat burime bënë të ditur se dje është kontrolluar edhe banesa e tij në lagjen "Komuna e Parisit" në Tiranë, si dhe janë marrë në pyetje familjarët. Ndërkohë substancat që janë gjetur në organizmin e të helmuarit janë dërguar në laborator për një ekzaminim të sofistikuar, për të përcaktuar llojin e helmit që i ka shkaktuar vdekjen 37-vjeçarit. e.d