Çarjet tek Juridiku, asnjë masë për riparime
Prej tre muajsh muret në katin e parë të godinës së Fakultetit të Drejtësisë janë të çara. Askush nuk merr asnjë masë për riparimin e tyre. Dekani i fakultetit, Skënder Kaçupi, i pyetur për këtë çështje tha se ka bërë një kallëzim në prokurori dhe pret që organet e drejtësisë të zgjidhin problemet. Por deri sa këto organe të gjejnë përgjegjësit, jeta e studentëve mbetet e rrezikuar. Këshilli studentor i fakultetit u ka dërguar letra të gjitha instancave shtetërore, por as kërkesa e tyre nuk ka gjetur zgjidhje. Problemi në Fakultetin e Drejtësisë së UT-së u evidentua tre muaj më parë. Janë tri salla dhe një pjesë e hollit me çarje të mëdha në mur. Mendohet se ato janë që në themel të godinës dhe kanë ardhur si pasojë e ndërtimit pa cilësi të godinës tjetër ngjitur, që është Fakulteti i Shkencave Sociale. Kjo e fundit është ndërtuar në vitin 2001 me fondet e Bankës Botërore. Pritej që pas konstatimit të problemit të dërgoheshin një grup ekspertësh të drejtuar nga Ministria e Arsimit. Por mësohet se asnjë grup nuk ka kryer inspektime dhe Ministria e Arsimit nuk ka dhënë asnjë zgjidhje zyrtare për këtë fakultet.