E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moska dhe shantazhi ndaj Ban Ki-Moon

Zyrtarë të UNMIK-ut njoftuan për vizitën e fundit të zv/sekretarit të përgjithshëm të OKB-së në Prishtinë e Beograd, në fillim të këtij muaji. Sipas tyre, "misioni i tij është faktmbledhës, sikurse veprojnë edhe me misionet e tjera paqeruajtëse në botë. Në takimet me krerët e institucioneve, ai pritet të diskutojë për praninë e ardhshme civile ndërkombëtare në Kosovë". Por, a thua është e gjitha kjo çfarë thonë ata të UNMIK-ut për vizitën e Jean Marie Guéhenno në Kosovë? Nuk do ta kishim shtruar këtë pyetje, sikur të mos ishin alarmuar gazetat "Times" dhe "Le Monde" se, Moska zyrtare po kërcënon Ban Ki-Moon me rastin e Kosovës.

Sipas diplomatëve dhe burimeve në Kombet e Bashkuara, Kremlini ka filluar të kërcënojë zotin Ban Ki-Moon që verën e kaluar, kur e ka ndjerë se është në favor të pavarësisë së Kosovës. Si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, Rusia ka të drejtën e vetos dhe mund të bllokojë mandatin e dytë pesëvjeçar të tij, që fillon në vitin 2012. Sipas një diplomati në Gjenevë, "njeriu numër një i OKB-së, Ki-Moon mund t‘i imponohet dhe të ketë presion për të emëruar një bashkëpunëtor të tij, si ndërmjetës të ri për të ripërtërirë bisedimet mes Beogradit e Prishtinës".

Në takimin e fundit në Londër për Kosovën, pala ruse nuk ishte ftuar, duke provokuar reagimin e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili, i shqetësuar, u shpreh se "Rusia nuk është përjashtuar nga bisedimet për Kosovën". Pas këtij "incidenti diplomatik", siç do ta konsideronte Moska zyrtare, në Prishtinë arriti zv/sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Guéhenno, emri i të cilit, në kanceleritë e OKB-së, është përfolur si personi i ardhshëm që mund të ngarkohet nga Ban Ki-Moon për ripërtëritjen e bisedimeve Prishtinë-Beograd. Përfolja e Guéhennos nuk duhet injoruar, nëse kemi parasysh diplomacinë tinëzare të Moskës zyrtare.

Para pak ditësh, gazeta prestigjioze amerikane "Times", duke shprehur drojën e diplomatëve ndërkombëtarë për manipulime të palës ruse me stafin e lartë të OKB-së, ka dalë publikisht. "Moska zyrtare përpiqet ta shantazhojë Ban Ki-Moon", shkruan ajo. Edhe burimet tona diplomatike në Kombet e Bashkuara në Gjenevë e Nju Jork flasin për faktin se diplomatët rusë ishin përpjekur ta bindnin Ban Ki-Moon rreth perspektivës së Kosovës. Se kush do të manipulohet dhe shantazhohet, do të merret vesh pas përfundimit të vizitës në Prishtinë e Beograd të zëvendësit të tij.

Gjatë tri ditëve kur sekretari i përgjithshëm i OKB-së u gjend në Moskë muajin e kaluar, diplomatët rusë u përpoqën ta bindin atë rreth rreziqeve të vazhdimit të "baletit" diplomatik për Kosovën. Përpjekjet për të shantazhuar shefin e OKB-së kanë alarmuar edhe "Times" e "Le Monde". Ky shantazh i palës ruse ka filluar me kërcënimet e Moskës zyrtare se do ta bllokojë procesin e zgjatjes së mandatit të tij të dytë si sekretar i përgjithshëm i OKB-së, nëse mban qëndrime si SHBA e BE, në mbështetje të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.

Më 26 mars, në faqen e internetit të OKB-së, me njoftimin e titulluar me shkronja të mëdha "sekretari i përgjithshëm mbështet pavarësinë e Kosovës", ndër të tjera thuhet: "Ban Ki-Moon sot ka mbështetur në Këshillin e Sigurimit raportin mbi të ardhmen e Kosovës, si dhe planin e përpiluar nga i dërguari special, Marti Ahtisari, i cili rekomandon pavarësi për Kosovën…". Dimitri Medvedev, Presidenti i zgjedhur i Rusisë, ka provuar ta shfrytëzojë vizitën e shefit të OKB-së në Moskë, për të sulmuar ato që ai i ka cilësuar "përpjekje për të injoruar rezolutat e Këshillit të Sigurimit mbi çështje si Kosova".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›