Kapiteni Adebajor: “Nuk do të luajmë”. Kërcënime të reja terroriste
Konfuzioni është absolut, por deklarata e fundit e Emanuel Adebajor duket se nuk lë hapësirë për dyshime: “Kishim bërë një mbledhje ne mes lojtarëve dhe vendosëm që duke luajtur mund të bënim diçka të mirë për atdheun tonë, në shenjë respekti për ata që vdiqën, tha kapiteni i kombëtares së Togos, por për fat të keq Presidenti i vendit dhe autoritetet e tjera kanë marrë një vendim të ndryshëm, prandaj do të bëjmë gati valixhet dhe do të kthehemi në shtëpi. Edhe familjet tona dhe ta dashurit tanë na thanë se, nëse donim mund të luanim, por ata që komandojnë, dinë më shumë sesa ne. A do të ketë një tjetër sulm? Askush nuk e di. Por na urdhëruan të rikthehemi në shtëpi, sepse jemi ende në rrezik. Ata që qeverisin e dinë se çfarë është më e mira për ne”. Fjalët e Adebajor ishin të fundit në këto 24 orë. Sikurse ka shpjeguar Adebajor, lojtarët kishin vendosur të qëndrojnë, ashtu sikurse kishte pohuar edhe sulmuesi i Nansit, Ayite: “Menduam se ishte një mëkat të largoheshim, për shumë prej nesh është hera e parë që marrim pjesë në Kupën e Afrikës dhe duam të luajmë që të nderojmë ata që vdiqën”.
Da Lome, ku qeveria ka lajmëruar që do të respektojë për tri ditë zinë kombëtare, është vendosur që të vënë të gjithë futbollistët në një avion ushtarak dhe të braktisin menjëherë Kupën e Afrikës. “Qeveria e Togos ruan pozicionin e saj, skuadra të rikthehet në atdhe”, ka deklaruar në orët e para të mëngjesit të djeshëm për “Afp” Paskal Bodjona, zëdhënësi i qeverisë. Dhe më pas Kryeministri Gilbert Fosoun Houngbo, ka theksuar se “skuadra duhet të niset menjëherë. Kemi marrë në konsideratë vendimin e lojtarëve, të cilët deri në mesnatë kanë vendosur në unanimitet të rikthehen në shtëpi. Më pas kanë ndryshuar ide, kanë vendosur të luajnë në shenjë respekti për ata që vdiqën dhe për familjet e viktimave, një gjë që e respektojmë, por mbi të gjitha është siguria e tyre. Dhe siguria nuk është një gjë për të cilën mund të diskutohet”.
Të dielën pasdite portieri Kodjovi Obilale, i plagosur në atentatin e të premtes, është quajtur i vdekur nga dy prej shokëve të tij. Në mënyrë të dukshme dikush i kishte informuar keq, sepse Obilale ishte i shokuar, por koshient në klinikën “Milpark” të Johanesburgut për t’u operuar për një plagë të dyfishtë nga armët e zjarrit. Ndërhyrja kirurgjikale është kryer dhe për momentin futbollisti është nën terapi intensive dhe duket së është jashtë rrezikut për jetën. Akoma dhe më e pabesueshme gjatë natës mes të shtunës dhe të dielës ka qenë lajmi i vdekjes së shoferit të autobusit nga Angola, i cili më pas rezultoi ende i gjallë. Megjithatë, kërcënime të reja vijnë nga guerilët e Frontit për Lirinë e Kabindas, grupi që organizoi sulmin ndaj kombëtares së Togos.