E Diel, 1 Nëntor 2026

Trajneri i Mançesterit, i pakënaqur nga gjyqtari në ndeshjen me Birminghemin

Trajneri i Mançester Junajtid, Sër Aleks Ferguson, ka akuzuar gjyqtarin kryesor të takimit me Birminghemin, Mark Kletenburg, për gjykimin katastrofal të tij në ndeshjen, e cila përfundoi me rezultatin e barabartë 1-1. Ferguson e quajti gjyqtarin me ironi “edhe i bukur edhe tradhtar”, pasi përjashtoi në mënyrë krejt të padrejtë Darren Fletçerin. Këto kritika mund të sjellin telashe të reja për Ferguson me Federatën Angleze të Futbollit (FA), pasi kohë më parë ishte dënuar me 20 mijë euro dhe katër ndeshje pezullim (mos qëndrim në stol) për kritikat ndaj gjyqtarit Alan Wiley. “Nuk kam parë që prej shumë kohësh një karton të kuq në një duel aq të butë. është absolutisht qesharake”. Tekniku i “Djajve të Kuq” thekson se ai e ka krahasuar mënyrën e gjykimit nga ky gjyqtar në ndeshjen e të dielës me atë që ai ka bërë në të kaluarën, ndaj dhe dyshon se ishte qëllimisht e gabuar. “E kam vështruar me vëmendje Mark Kletenburgun këtë sezon. Në ndeshjen Totenhem–Arsenal është dashur ta godisni me shkop të bejsbollit në kokë për të dhënë një karton të verdhë dhe shikoni çfarë bën këtu. Kishte disa vendime të zbukuruara dhe të manipuluara”, nënvizon sër Aleks Ferguson. Po ashtu trajneri i Junajtit polemizon edhe në lidhje me vendimet e gjyqtarëve anësorë. “Gjyqtari anësor jep sinjal se ishte pozicion jashtëloje në rastin e golit tonë, edhe pse ishte shënuar autogol, rrëfen Fergi. Si mund të jetë ky gol pozicion jashtë loje?”. Më pas njeriu i përzgjedhur si një ndër trajnerët më të mirë në botë, i njohur si më i famshmi në Angli në gjithë historinë e futbollit të ishullit, ka folur edhe në lidhje me lojën e skuadrës së tij në sfidën ndaj Birmingamit. “Ne luajtëm në mënyrë brilante në pjesën e parë dhe të pësonim një gol në fund ishte katastrofave, ka sqaruar më tej trajneri i Mançester Junajtit. Birminghemi është në formë vërtetë të mirë, ata punojnë shumë dhe është vështirë ndaj tyre prandaj jemi të kënaqur me një pikë, pasi që mbaruam ndeshjen me 10 lojtarë”. Gjithsesi, rezultati i djeshëm duket se largon shumë Mançesterin nga ambiciet për t’i marrë sa më shpejt vendin e parë në Premier League.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›