Kapiteni Lala: “Jam vetëm një ushtar i Kombëtares!”
Për herë të fundit kapiteni Altin Lala dha kontributin e tij në fushë për kuqezinjtë në barazimin historik 0-0 me Portugalinë në Braga (15 tetor 2008, në bankinë ishte holandezi Ari Han), ndërkohë që mungoi në pesë ndeshjet e fundit zyrtare dhe tri miqësoret e zhvilluara nën drejtimin e trajnerit kroat, Josip Kuzhe. I rikthyer pas gati 16 muajsh në gjirin e Kombëtares, Altin Lala, 34-vjeç, lojtari me më shumë ndeshje në grupin aktual, 71 të tilla, “xhuxhi luftarak” i Hanover 96 ka të njëjtin humor me gazetarët dhe personalitet të fortë si futbollist, edhe pse gjatë konferencës për shtyp në hotel “Dyrrah” ishte për herë të parë në krah të trajnerit Kuzhe. “Kam pasur biseda dhe me trajnerin (Kuzhe), i cili ka ardhur edh në Hanover. I kam shprehur atij gatishmërinë time. Nëse unë aktivizohem me ekipin tim (Hanover 96, Bundesliga 1) dhe nga ana fizike jam mirë, atëherë pse nuk duhet të jem me Kombëtaren”. Lala është i vetëdijshëm për kontributin e tij, por dhe të futbollistëve të tjerë të thirrur. “Kombëtarja ka nevojë për shumë lojtarë, të cilët aktivizohen, janë në formë të mirë. Edhe unë besoj se jam në formë të mirë dhe mund të jap kontributin tim”. Altin Lala ka veshur për herë të parë fanellën e Kombëtares, 12 vjet më parë, pikërisht më 21 janar të vitit 1988, në ndeshjen miqësore kundër Turqisë, të fituar 4-1 në Gaziantep (trajner Astrit Hafizi) dhe ka qenë pjesë e fushatave kualifikuese të tre kampionateve europiane (Euro 2000, 2004 dhe 2008) dhe tre kampionateve botërore (2002, 2006 dhe 2010) dhe ka qenë dëshmitar i ulje-ngritjeve të Shqipërisë midis vendit të parafundit apo dhe një vendi më lart, apo të përkthyer në gjuhën e “vazove”: 4 dhe 5.
“Secili lojtar që luan me Kombëtaren, natyrisht, është krenar që ta japë sa më shumë për këtë sport, që ta çojë sa më parë e sa më lart skuadrën në renditje. Nëse do ta çonim Shqipërinë një vazo me lart, për ata lojtarë që do të vinë më pas, patjetër do ta lenë më të lehtë që dhe ata ta çojnë më lart. Unë do të doja edhe si tifoz ta shihja Shqipërinë në një finale të Kampionatit Botëror apo Europian. Do të ishte edhe një plotësim i ëndrrës sime”. Altin Lala, i cili si kundërshtar ka luajtur kundër katër prej pesë ekipeve që ka në grup Shqipëria, Rumaninë, Bjellorusinë, Bosnjën dhe Luksemburgun, duke përjashtuar këtu Francën, ndaj së cilës Shqipëri është ndeshur në vitet 1990-1991, dha dhe vlerësimin e tij për grupin tonë (D) eliminator të Kampionatit Europian të vitit 2012. “Duke parë skuadrat, Franca është favorite, por dhe Rumania, Bosnja janë të tilla. Edhe Bjellorusia nuk është një kundërshtar i lehtë. Të linim dy skuadra pas (vendi i katërt) do të ishte sukses i madh për ne. Unë mund të thosha se do të dalim në vendin e parë, por kjo nuk është realiste. Nuk duhet të ëndërrojmë kot. Për mua realiste dhe shumë pozitive do të ishte të linim dy skuadra pas”, - përfundon “mendjeftohti” Lala, tashmë edhe një biznesmen si suksesshëm i kompanisë “Rosman&Lala”, me disa dyqane luksoze në Shqipëri.
MIQËSORJA E FUNDIT
Miqësorja e fundit zyrtare e Kombëtares A është ajo kundër Estonisë në Talin (0-0, 14 nëntor), e zhvilluar menjëherë pas përfundimit zyrtar të eliminatoreve të Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut 2010”. Në tri ndeshje miqësore me Josip Kuzhenë si trajner Shqipëria ka fituar kundër Qipros (6-1, rekord historik) dhe ka barazuar në dy të tilla: 1-1 me Gjerogjinë (në Tiranë) dhe 0-0 me Estoninë (në Talin).
Uorthington: Vetëm në letër duket e lehtë
Trajneri i Irlandës së Veriut, Najxhëll Uorthington, e vlerësoi takimin miqësore kundër Shqipërisë si të vështirë. “Në letër mund të duket një ndeshje e lehtë, duke konsideruar faktin se ne jemi në vendin e 40-të në botë (në renditjen e FIFA-s) dhe ata në të 97-in (në fakt, 96), por duke i parë ata në DVD unë mendoj se janë një formacion i fuqishëm dhe do ta na e bëjnë ndeshjen të vështirë”, - citohet trajneri nga prestigjiozja britanike “The Guardian”. “Gjithsesi, është një mundësi e bukur për lojtarët që janë në periferi të skuadrës për të fituar eksperiencë ndërkombëtare. Është thelbësore që ne ta marrim këtë ndeshje si një bashkim i skuadrës, duke u nisur edhe nga fakti se ndeshja e fundit ishte ajo e nëntorit të vitit të kaluar”.
Pas 48 orëve të qëndrimit në Shqipëri dhe dy seancave stërvitore, Uorthington tha për mediat shqiptare dhe iralndezoveriore” “Shqipëria është një ekip më i fortë nga ai i 1992-shit dhe këtë e pashë në ndeshjet e mira të bëra ndaj Danimarkës dhe Portugalisë. Unë pres një ndeshje të fortë, e cila është mjaft e rëndësishme për ne. Dua t’u jap shansin disa të rinjve të skuadrës që të krijojnë më shumë eksperiencë në arenën ndërkombëtare”, deklaroi ai. Irlanda e Veriut provoi nga afër problemet e infrastrukturës në Shqipëri, pasi iu desh të stërvitej në kompleksin Dinamo paradite, për shkak se fusha e “Selman Stërmasit” ka qenë thuajse nën ujë. “Për shkak të reshjeve të shumta, fusha ku ne shkuam ishte shumë e rënduar. Po ashtu edhe fushën e stadiumit kombëtar nuk donim ta rëndonim më shumë, prandaj e bëmë stërvitjen atje”, - citohet tekniku irlandezo-verior nga agjencia shqiptare “Ballkanëeb.com”. Irlanda e Veriut do të ketë disa mungesa, duke u shtuar edhe atë të mbrojtësit të Mançester Junaitid, Xhoni Evans (probleme në gju, por jo serioze pas ndeshjes kundër Aston Vilës në “Carling Cup”), i cili tashmë ka lënë edhe hotel “Rognerit, atje ku është akomoduar skuadra kundërshtare në Tiranë.
3 Mars 2010