Komisionerët e Ruzhdies rrezikojnë burgimin për manipulimet në zgjedhje
Kryetari i Qendrës së Votimit në fshatin Ruzhdie, së bashku me katër komisionerë të tjerë, rrezikon masën e burgimit deri në 7 vjet, si dhe gjobë monetare. Gjykata e Fierit ka vlerësuar nga provat e hetimit se këta persona kanë kryer veprën penale të falsifikimit të rezultatit të zgjedhjeve në këtë komunë. Në datën 12 shkurt, gjyqtarja e Gjykatës së Shkallës së Parë në Fier, Irena Maneku, në bazë të kërkesës së Prokurorisë së rrethit të Fierit, që është përfaqësuar nga prokurori Çlirim Sino, ka dhënë masën e ndalimit “detyrim paraqitjeje” për kryetarin e Qendrës së Votimit në fshatin Ruzhdie, Bujar Kararaj, si dhe për katër komisionerë të tjerë përfaqësues të Partisë Demokratike. Prokurori Sino paraqiti në Gjykatë raportin për hetimin e zgjedhjeve në komunën Ruzhdie. Pas padisë së ngritur nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste për shkelje të procedurave të votimit nisën hetimet dhe Prokuroria doli në konkluzionin se Bujar Kararaj dhe 4 komisionerët e tjerë që vijuan votimin më 28 qershor janë të dyshuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim; falsifikim të rezultatit të zgjedhjeve në bashkëpunim; votim më shumë se një herë në bashkëpunim dhe shkelje të fshehtësisë së votimit në bashkëpunim. Ky fakt është pranuar nga Gjykata, që më pas ka pranuar masën e kërkuar nga ana e prokurorit që ka ndjekur hetimin.
Vendimi
Në shkresën zyrtare të vendimit të dhënë nga Gjykata thuhet shprehimisht: “Në caktimin e masës së sigurimit, Gjykata ka parasysh që masa e caktuar që vjen në përputhje me shkallën e nevojave të sigurimit që duhet marrë në rastin konkret, rëndësinë e faktit, sanksionon që parashikon veprën penale të ‘shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumenteve zgjedhore, për të cilat ligji material parashikon masa dënimi me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga 300 mijë deri në një milion lekë për veprën penale të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Në caktimin e masës së sigurisë duhet të mbahet parasysh edhe rrethana rënduese e bashkëpunimit”, - shkruhet në vendimin e Gjykatës. Vendimi i Gjykatës është dhënë në mungesë të të akuzuarve. Komisionerët urdhërohen nga Gjykata që të paraqiten para oficerit të Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e rrethit të Fierit, Rikard Loloçi, javën e parë dhe të tretë të çdo muaji, të hënën, ora 09:00.
Rezultati i hetimit
Prokuroria e Fierit ka hetuar dhe faktuar manipulimin e zgjedhjeve në fshatin Ruzhdie të Fierit. Hapja e kutive është realizuar nga kjo prokurori në hetimin e 5 komisionerëve të djathtë, shumica të Partisë Demokratike në Qendrën e Votimit Nr. 3052 të KZAZ Nr. 19. Në bazë të një padie të ngritur nga Partia Socialiste, se komisionerët po bënin proces të jashtëligjshëm votimi, falsifikim dhe votim më shumë se një herë. Të akuzuarit janë Bujar Kararaj, kryetar i komisionit, Pëllumb Myrtaj, zëvendeskryetar dhe anëtarët e komisionit, Robert Myftaraj, Veledin Myftaraj dhe Shezai Kararaj. Prokuroria sekuestroi kutinë e materialeve të Qendrës së Votimit Nr. 3052 dhe nisi hetimin. Prokuroria vuri re se nga 592 zgjedhës në listë, rezultonin të kishin votuar 525 prej tyre. Por komisionerët socialistë pretendonin se aty ka pasur falsifikim votash. Për këtë arsye, Prokuroria mori nga Drejtoria e Kufirit të dhënat e sistemit TIMS, që regjistron të gjithë personat që hyjnë dhe dalin në Shqipëri dhe rezultoi se 111 persona nga ky fshat, në moshë për të votuar, kanë qenë jashtë vendit dhe se nga këta 80 persona rezultonin që të kishin votuar. Në raportin e Prokurorisë thuhet se 80 personave, të cilët rezultojnë të kenë votuar, u janë falsifikuar firmat, numrat e pasaportave dhe numrat e kartave të identitetit. Në raportin e paraqitur në Gjykatë thuhet: “Nga tërësia e veprimeve hetimore të mësipërme rezulton se prej anëtarëve të komisionit të Qendrës së Votimit Nr. 3052, të pranishëm deri në fund të votimit, janë kryer shkelje të dispozitave të Kodit Zgjedhor. Me pasojë kundërligjshmërinë e këtyre anëtareve, ka filluar fillimisht me lënien e zgjedhësve për të votuar në mënyrë të hapur, pa u futur në dhomën e fshehtë. Kanë falsifikuar listën e zgjedhësve duke shënuar në këtë listë, përbri emrave të zgjedhësve, numra serie të dokumenteve të identifikimit, si pasaporta dhe karta të identitetit të falsifikuara. Kanë hedhur në kutinë e votimit vota për personat që u kanë falsifikuar nënshkrimet dhe numrat e serive të dokumenteve të identifikimit”. Në raport jepen edhe emrat e personave që kanë falsifikuar dhe manipuluar rezultatin e zgjedhjeve. “Në bazë të aktit të ekspertimit grafik rezulton se anëtari i këtij komisioni, Shezai Kararaj, ka falsifikuar listën e zgjedhësve duke nënshkruar për ta dhe shënuar numrat e serive të dokumenteve të identifikimit të rreme. Anëtari i komisionit, Veledin Myftaraj, ka votuar për bashkëshorten e tij Dallëndyshe Myftaraj. Zgjedhësi Buran Donaj ka votuar për bashkëshorten e tij, Fatmira Donaj. Zgjedhësi Elmas Donaj ka votuar për djalin dhe vajzën e tij Elton Donaj dhe Aurora Donaj. Shtetasi Elton Donaj rezulton të ketë qenë jashtë vendit ditën e votimit”. Faktet e gjetura nga Prokuroria i kanë mjaftuar Gjykatës së Shkallës së Parë në Fier që të japë masën e sigurisë ndaj 5 komisionerëve të djathtë. Sipas Gjykatës, ekziston dyshimi i arsyeshëm bazuar në prova, se shtetasit Bujar Kararaj, Pëllumb Myrtaj, Robert Myftaraj, Veledin Myftaraj dhe Shezai Kararaj kanë kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, falsifikim të rezultatit të zgjedhjeve në bashkëpunim, votim me më shumë se një herë në bashkëpunim dhe shkelje të fshehtësisë së votimit në bashkëpunim. Masa e dhënë nga gjyqtarja Irena Maneku në datën 12 shkurt ndaj 5 komisionerëve të Ruzhdies është detyrim paraqitjeje deri në nisjen e procesit penal ndaj tyre. Këto detaje dhe pranimi nga Gjykata i kërkesës së Prokurorisë për gjykim pritet ta nxehin edhe më shumë debatin politik në vend, ku opozita e ka sjellë Ruzhdien si shembullin tipik të manipulimit në zgjedhje.
Të akuzuarit
Bujar Kararaj
Pëllumb Myrtaj
Robert Myftaraj
Veledin Myftaraj
Shezai Kararaj
Akuzat
Shpërdorim i detyrës në bashkëpunim
Falsifikim i rezultatit të zgjedhjeve në bashkëpunim
Votim me më shumë se një herë në bashkëpunim
Shkelje të fshehtësisë së votimit në bashkëpunim
3 Mars 2010