E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuza ministrisë në Shkup: Inskenoi vrasjen e shqiptarëve



Shqiptarët e Maqedonisë po alarmohen nga zhvillimet e fundit në këtë vend, si vrasja e katër shqiptarëve afër kufirit me Kosovën, duke kujtuar krijimin e një situate të njëjtë, si ajo e vitit 2001. Në atë kohë, midis etnisë shqiptare dhe asaj maqedonase shpërtheu një luftë e mirëfilltë. Marrëveshja e Ohrit, e cila ishte dokumenti që i dha fund konfliktit mes tyre, duke kërkuar obligimin e politikës maqedonase për të ofruar më shumë të drejta për shqiptarët, nuk po zbatohet ende me korrektësi. Arrestimet gjatë muajve të fundit, bastisjet nëpër shtëpitë e shqiptarëve, mosrespektimi i marrëveshjes së Ohrit, ka nxitur reagimin e një pjese të popullsisë shqipfolëse në Maqedoni, të cilët akuzojnë se qeveria Gruevski praktikon një politikë antishqiptare. Ata mendojnë se vrasja e katër shqiptarëve, ishte një skenar i përgatitur nga Ministria e Brendshme maqedonase. Pyetja që ngrenë për këtë ngjarje është: Pse nuk shpërtheu furgoni i shqiptarëve, i bërë shoshë nga plumbat e policisë së Maqedonisë, kur paska pasur kaq shumë eksploziv brenda? Kreu i Bashkimit Demokratik Shqiptar, Bardhyl Mahmuti deklaroi dje se vrasja e katër shqiptarëve në Radushë është një spektakël tragjik i kurdisur nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë. “Kjo ngjarje nxjerr në pah frymën antishqiptare të institucioneve shtetërore maqedonase. Propagandimi me pompozitet i vrasjes së katër shqiptarëve dhe ekspozimi i ‘fakteve’ për gjoja implikimin e tyre në trafiqe armësh, nxjerrin në pah kurdisjen e këtij skenari dhe përpjekje për të fshehur ekzekutimin e tyre monstruoz”, tha ai për mediat, duke shtuar se “Sikur realisht të kishte pasur gjithë atë Eksploziv në furgon, të gjithë e dimë se vetëm një shkëndijë e vogël do të provokonte një shpërthim të fuqishëm, që do të ishte dëgjuar në të gjithë Maqedoninë”. Kjo parti ka kërkuar që të bëhet një ekspertizë e pavarur për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje. Ndërsa pak orë pas ngjarjes që ndodhi orët e para të mëngjesit të së mërkurës u identifikuan trupat e tre prej katër viktimave shqiptare, dje autoritetet maqedonase kanë identifikuar trupin e katërt dhe ia kanë dërguar atë familjes së tij. Ai është Harun Aliu, i njohur si komandant Kushtrimi, njëkohësisht kryetar i Partisë Alternativa Kombëtare. Për Aliun ekzistonte një fletë-arresti, pasi ai ishte i dënuar në mungesë me burg të përjetshëm nën akuzat e vrasjes së një polici. Aliu konsiderohej si organizator i grupit, që në shenjë hakmarrjeje për aksionin policor në fshatin Brodec, më 3 janar të vitit 2008, sulmoi një xhip të policisë, gjatë të cilit sulm u vra polici Zoran Markovski, ndërsa katër kolegë të tij u plagosën. Ministria e Brendshme maqedonase tha se shqiptarët e vrarë po transportonin një arsenal armësh nga Radusha në drejtim të Shkupit dhe nuk ndaluan në një pikë kontrolli të policisë, duke qëlluar me armë kundër forcave të rendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›