E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapiteni i Brustel padit pronarin në prokurori

Durrës Organi i akuzës nis hetimet për akuzat “mashtrim” dhe “punësim i paligjshëm”

Puna në të zezë e marinarëve do të hetohet nga Antikrimi dhe Prokuroria e Durrësit, pas një denoncimi të bërë së fundmi nga kapiteni i anijes “Brustel”. Armando Ulqinaku, kapiteni 43- vjeçar i anijes, që u bë e njohur për peripecitë që ekuipazhi i saj hoqi ndërsa u bllokua në ujërat afrikane, ka paditur një ditë më parë në polici punëdhënësin e vet. Mbi 22 mijë dollarë është vlera e pagave të pashlyera deri më tani nga pronari i anijes kundrejt kapitenit të “Brustel”, por janë dhe 4 marinarë të tjerë, kryesisht në profesionin e mekanikëve dhe kuzhinieri, që gjithashtu nuk i kanë marrë rrogat.

Policia

Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës njoftoi zyrtarisht se ndaj shtetasit Alban Tepshi, 40 vjeç, lindur dhe banues në Lagjen Nr.1 të Durrësit, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për veprat penale të mashtrimit dhe punësimit të paligjshëm. I proceduari është pronar i anijes “Brustel” dhe ndaj tij, kapiteni Ulqinaku ka depozituar një kallëzim penal dy ditë më parë, në datën 12 maj. Në këtë kallëzim, Armando Ulqinaku ka deklaruar se duke qenë i punësuar si kapiten i anijes “BRUSTEL”, nuk ka marrë që prej 5 muajsh pagën mujore. “Gjithashtu ai pretendon se gjatë një viti ka punuar pa kontratë të rregullt pune dhe pa sigurime shoqërore”, njoftoi DPQ Durrës. Ndërkaq, Ulqinaku deklaron se kanë 7 muaj dhe 14 ditë pa marrë rrogën: “Unë e kam nisur marrëdhënien e punës më 8 prill të vitit 2009 dhe më 23 prill të këtij viti jam kthyer në Shqipëri dhe gjatë gjithë kësaj kohe kam kryer funksionet e kapitenit. Jam paguar për pesë muajt e parë të këtij viti pune, ndërsa shtatë muajt e tjerë janë ende për t’u shlyer”. Për këtë periudhë kohore të papaguar, pronari i anijes i detyron Ulqinakut vlerën e 22400 dollarëve në bazë të marrëveshjes së bërë mes tyre për pagesën. Pas kryerjes së veprimeve të para procedurale, materialet për veprat penale të “mashtrimit” dhe “punësimit të paligjshëm” i kanë kaluar për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës. Hetimet për problemet e marinarëve të anijes shqiptare “Brustel” kishin nisur më parë dhe denoncimi i Ulqinakut u bashkëngjitet këtyre hetimeve që pritet të zbardhin një nga problematikat më të mëdha që haset sot në flotën e transportit detar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›