E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjeku i operon këmbën e shëndoshë 15-vjeçares

Historia e adoleshentes nga Kuçova, prindërit e së cilës denoncuan dje në polici

Kishte shkuar në spital, pasi në njërën këmbë kishte probleme me gjurin, por asnjëherë nuk i kishte shkuar në mendje se mjeku do i operonte gjurin tjetër. Kjo është historia e një adoleshenteje, që ka ardhur nga Kuçova në Tiranë për t’u shëruar dhe që i ka kushtuar shumë. Nëna e saj, e cila e shoqëronte në çdo çast, ka mbetur e shtangur, kur ajo ka dalë nga operacioni dhe ka vënë re se me fashë kishte të lidhur këmbën pa probleme dhe jo atë për të cilën kishte shfaqur shqetësime. Mjekët janë munduar ta qetësojnë gruan 38-vjeçare, e cila ditën e djeshme i është drejtuar policisë, me qëllim që mjeku që kreu këtë operacion të pakujdesshëm të përgjigjet për fajësinë e tij.

Operimi i gabuar

E gjithë ngjarja zë fill disa ditë më parë, kur Enxhi Praka, 15 vjeçe, e shoqëruar me nënën e saj, kanë mbërritur në Spitalin Ushtarak. Mjekët kanë kryer të gjitha ekzaminimet e duhura për vajzën e re, duke realizuar grafitë dhe skanerin për këmbën e sëmurë, që kishte probleme me kockat. Ndërsa dy ditë më parë është vendosur që të bëhet ndërhyrja kirurgjikale në këmbën e djathtë të vajzës së re nga Kuçova. Operacioni ka zgjatur me minuta të tëra dhe kur ka përfunduar, mjeku ka takuar nënën e pacientes, duke i deklaruar se çdo gjë kishte dalë me sukses. E lumtur, nëna e vajzës 15-vjeçare ka shkuar për të takuar vajzën në dhomën e pavijonit të kockave, pranë hyrjes kryesore të Spitalit Ushtarak. Kur ajo po vinte në vete, me dashurinë prindërore, nëna i është afruar për të parë këmbën e vajzës dhe i ka larguar çarçafin, me shpresën se tani çdo gjë do të rregullohet dhe ajo nuk do të ketë më probleme shëndetësore. Por aty është zhgënjyer. Për momentin ka mbetur e shtangur dhe më pas, e habitur ka bërë pyetje se përse ishte operuar këmba e majtë, pasi ajo kishte të sëmurë këmbën e djathtë. Gjithë familjarët e vajzës së re janë revoltuar dhe kanë kërkuar shpjegime. Por asnjë nuk ka mundur t’u shpjegojë sesi ishte operuar këmba e shëndoshë, kur të gjitha grafitë dhe skaneri ishin bërë për këmbën tjetër. Aty kanë kërkuar informacion nga ortopedi, i cili është shprehur se i vinte keq, pasi ishte gabim njerëzor.

Kallëzimi në polici

Megjithatë, kjo situatë që ka revoltuar gjithë familjarët e vajzës së re, nuk ka kaluar lehtë. Nëna e revoltuar mësohet se paraditen e djeshme i është drejtuar Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe ka kërkuar të bëjë një kallëzim penal ndaj mjekut. Burimet nga spitali kanë treguar se ajo nuk ka pranuar të pajtohet me ortopedin, që është një mjek i nderuar me titull profesor, por i është drejtuar policisë dhe mësohet se denoncimin e ka bërë pranë organeve përkatëse për veprën penale të mjekimit të pakujdesshëm. Ajo ka shpjeguar gjithë historinë e ndodhur në Spitalin Ushtarak, ku dyshohet se ka ardhur nga neglizhenca. Policia mësohet se ka nisur hetimet për këtë rast, ndërkohë që vajza do t’i nënshtrohet një tjetër operacioni për këmbën e sëmurë. Burimet nga policia thanë se tani do të marrin në pyetje ortopedin dhe gjithë stafin që janë marrë me ndërhyrjen kirurgjikale ndaj vajzës së re. Sipas nenit 96 të Kodit Penal, mjekimi i pakujdesshëm i të sëmurëve nga ana e mjekut ose e personelit tjetër mjekësor, si dhe moszbatimi i terapisë ose i porosive të mjekut nga personeli mjekësor apo farmacist, kur ka shkaktuar dëmtimin e rëndë të shëndetit, ka rrezikuar jetën e personit ose ka shkaktuar vdekjen e tij, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›