E Diel, 1 Nëntor 2026

Ankaraja humbet durimin me BE-në. Gul: Europa ta ndajë mendjen për zgjerimet

Tendenca Presidenti i Turqisë shpreh tendencën për përparësitë e lidhjeve me botën arabe

Turqia duket se e ka humbur durimin me Bashkimin Europian dhe rezistencën që kjo organizatë po i bën përpjekjes së Ankarasë për t’u anëtarësuar. Në këto rrethana, ambicia e saj është kthyer nga bota myslimane. Presidenti i vendit, Gul, tha se tashmë liderët e BE-së ndodhen në një udhëkryq historik dhe duhet që të vendosin nëse do ta mirëpresin apo jo Turqinë në gjirin e organizatës. “Liderët janë në një pikë në të cilën u duhet që të vendosin nëse BE është një entitet i mbyllur, që do të thotë se kufijtë aktualë do të jenë ata të përhershmit, apo do të duhet të vazhdojë me zgjerimin”, ka deklaruar Presidenti i Turqisë për një media britanike. Presidenti, që vjen nga një parti islamiste, shprehu frustracionin e vendit të vet në lidhje me bisedimet e anëtarësimit mes Turqisë dhe BE-së, që janë në një fazë thuajse të ngrirë, dhe u çelën në vitin 2005. Në deklaratën e tij ai ishte shumë kritik edhe ndaj Presidentit të Francës, Sarkozi, në lidhje me qëndrimin për anëtarësimin e Turqisë, si dhe ftohtësinë që ka marrë për këtë çështje nga Kancelarja gjermane, Merkel. Për sa i përket Sarkozisë, mendimi i tij, që u është bërë i ditur edhe liderëve të tjerë të BE-së, është se kufijtë europianë nuk duhet që të shtrihen përtej Azisë së Vogël. Presidenti Gul ndërkohë shprehu dëshirën e vazhdueshme të Turqisë për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e BE-së. Ndërkohë, toni i tij reflektonte një rivlerësim të këtij objektivi. Qeveria e Erdoganit, që në ditët e saj të para nisi që të kultivonte një miqësi dhe marrëdhënie më të madhe me Iranin, botën arabe, Afrikën dhe Amerikën Latine. Me një rritje shumë të madhe ekonomike dhe një popullsi që e ka kaluar shifrën 73 milionë banorë, Turqia beson gjithnjë e më tepër se mund të bëjë e të ecë përpara edhe pa anëtarësimin e plotë në BE, një organizatë me të cilën ajo tashmë gëzon tregti të lirë. Mbështetësit e anëtarësimit të Turqisë në BE, të cilët tashmë e shohin qartë se ëndrra e tyre nuk do të realizohet para vitit 2020. Nëse do të realizohet, ata e shohin si lindjen e një demokracie të frymëzuar nga myslimanizmi, si një bum për Perëndimin dhe një urë me botën islame. Të tjerë e konsiderojnë këtë lidhje të Turqisë me botën arabe e myslimane si një tërheqje nga modeli perëndimor, të cilin vendi, një anëtar i NATO-s për më se 60 vjet, e ka ndjekur për dhjetëvjeçarë të tërë. “Turqia sa vjen e po bëhet gjithnjë e më pak europiane. Në politikën e jashtme po zhvendosemi nga pozicionimi europian”, deklaroi një zyrtar i lartë turk.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›