Tirana mbështet misionin e EULEX-it në veri të Mitrovicës
Shqipëria mbështet misionin e EULEX-it në veri të Mitrovicës. Duke mbetur një nga sfidat kryesore të stabilitetit në krahinën e Kosovës, funksionalizimi i ligjit përmes misionit europian mbetet një alternativë e qëndrueshme, për të cilën Tirana zyrtare ruan një pozicionim miratues. “Bërja funksionale e EULEX-it në veri të Mitrovicës do të jetë një garanci më shumë për forcimin e ligjit edhe në këtë pjesë të Kosovës, duke krijuar kushte më të mira për të gjithë qytetarët që jetojnë atje”, është shprehur dje ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta, në një konferencë të përbashkët për shtyp me shefin e zyrës ndërkombëtare civile në Kosovë, Peter Faith. Si shenjë e këtij angazhimi moderues në rajon, Meta ka bërë të ditur se dje në Graçanicë është nënshkruar një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe kësaj komune për lëvrimin e një fondi prej 400 mijë eurosh për restaurimin e manastirit të njohur të saj. Nga ana e tij, Faith ka vlerësuar rolin e Tiranës zyrtare, duke nënvizuar se angazhime të kësaj natyre i shërbejnë përmirësimit të klimës rajonale. Ai ka dhënë një përgjigje edhe lidhur me veprimet e fundit të EULEX-it në hetimin e disa ministrave të qeverisë së Kosovës, duke rikonfirmuar se “EULEX-i veproi mbi bazën e mandatit të tij, për të cilin është rënë dakord nga BE-ja dhe është pranuar edhe nga qeveria e Kosovës”. Në drejtim të statusit juridik ndërkombëtar të krahinës, shefi i misionit ndërkombëtar civil ka konfirmuar bindjen se pavarësia është një proces i pakthyeshëm tanimë. Në takimin me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, Faith ka shprehur falënderime për mbështetjen e Shqipërisë, sidomos në përpjekjen e bërë për shtimin e vendeve që kanë njohur apo pritet të njohin shtetin e ri ballkanik. Konkluzionet pozitive që komuniteti ndërkombëtar ka rreth qëndrimit rajonal të Shqipërisë, Faith i ka shprehur edhe në takimin e zhvilluar me Kryeministrin Sali Berisha. Ai ka vlerësuar hapat e qeverisë shqiptare, duke mos lënë jashtë vëmendjes edhe efektin e rrugës Durrës-Kukës. Konsideratat e përcjella nga përfaqësuesi i BE-së kanë gjetur kohezionin e Tiranës zyrtare, që nëpërmjet Kryeministrit ka deklaruar edhe njëherë se Kosova si shtet i pavarur u dëshmua si faktor stabiliteti.
#