Kapiti, trajner i ri i Prishtinës

FC Prishtina ka bërë sërish ndryshime në shtabin teknik. Bardhekatërtit, trajner të ri të ekipit kanë emëruar Ejup Mehmetin – Kapitin. Ky i fundit do ta zëvendësojë Jusuf Tortoshin, i cili me Prishtinë fitoi titullin e kampionit.
Trajneri i ri i Prishtinës ka thënë se objektiv i tij është dominimi në futbollin kosovar, derisa nëse nuk e arrin këtë, paralajmëron se do të japë dorëheqje.
“E kam pritur 20 vjet këtë moment. Unë kam ardhur ta vazhdoj dominimin me Prishtinën dhe nëse nuk i arrij objektivat për të cilat kam ardhur, do të jap dorëheqje”, deklaroi Kapiti, i cili do të jetë edhe mbikëqyrës i shkollës së futbollit.
Kapiti, i cili ka luajtur për Prishtinën në vitet ‘60 e ‘70, ka licencën profi të UEFA’s.
Ai nga viti 1990 e deri më 1992 kishte drejtuar Prishtinën. Pas kësaj, Kapiti ka udhëhequr edhe skuadrat gjermane, Fortuna Oberauben (1993/1996), Hila Bergheim (1996/1999) dhe Horremer SV (1999/2002 dhe 2004/2006).