Kapja e gomones në Greqi, policia gjen edhe sasinë tjetër të drogës

Policia greke ka bërë të mundur gjetjen e sasisë tjetër të drogës së hedhur nga gominia e cila u kap tre ditë më parë në Kefalonia të Greqisë.
Sipas informacioneve, 72 pako me 160 kg hashash janë gjetur në një zonë detare pranë ishullit të Kafalonisë duke e çuar sasinë totale të drogës së kapur në 993 kg 110 gram hashash. Droga është hedhur nga skafistët gjatë ndjekjes nga policia ndërsa më pas ata kanë braktisur në breg edhe gomonen me sasinë tjetër të drogës.
Ngjarja
Gomonia "Evangelistria" me një gjatësi rreth 12 metra, me 2 motorë me nga 350 kuaj fuqi secili e nisur nga Lukova e Sarandës me 833 kg hashash në bord është sekuestruar mbrëmjes e së djelës nga policia greke. Kapja e saj u bë si rezultat i bashkëpunimit të policive të tre shteteve, përkatësisht asaj shqiptare, greke dhe italiane.
Sipas policisë greke droga ishte e ndarë në 585 pako ndërsa është identifikuar edhe pronari i skafit dhe po vijojnë kërkimet për dy skafistët që po transportonin lëndën narkotike. Sipas informacioneve pronari i gomones është një shtetas grek që ndodhet në burg për trafik droge ndërsa dyshohen se skafistët janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal droge greko-shqiptar.
Nga të dhënat e para mësohet se, gomonia me lëndën narkotike dyshohet se ishte nisur nga gjiri i Lukovës në Sarandë dhe nëpërmjet Kanalit të Korfuzit, po dërgohej në ishullin Qefalonia, për tu hedhur më pas në treg.
Mjeti lundrues u konstatua nga policia shqiptare e cila ka njoftuar autoritetet policore italiane dhe greke. Policia greke është vënë në ndjekje të saj, por dy drejtuesit e gomones nuk i janë bindur urdhrave për të ndaluar.
Ndjekja e gomones ka nisur nga jugu i Korfuzit, në ujërat midis ishullit Itaka e Qelafonia. Me të mbërritur në gjirin e Itakës, dy personat që drejtonin gomonen e kanë braktisur atë dhe janë arratisur me këmbë në ishull.
Trafikantët kanë mundur të hedhin një sasi të konsideruar të drogës së paketuar në det, ndërkohë policia greke në bashkëpunim me atë shqiptare po vijon operacionin për kapjen e dy trafikantëve.