Orahovac, një serb i njohur drejt Vllaznisë
Sanibal Orahovac është emri i ri për sulmin shkodran. Bëhet fjalë për një lojtar serb të mirënjohur, kryesisht në akitivizimin e tij në kampionatin gjerman. Së fundmi, ai ka qenë pjesë e FSV Frankfurtit në Bundesligën 2, ndërkohë që më parë ka luajtur edhe me Karlsruhen, në kohën kur me këtë të fundit bënte pjesë sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Edmond Kapllani. Drejtuesit e klubit kuqeblu, pavarësisht se kanë afruar deri më tani lojtarë jo shumë të kushtueshëm, duket se në fundin e merkatos kërkojnë të hapin thesin. 31-vjeçari Rahovac shihet si një zgjedhje ideale për sulmin, teksa drejtuesit e Vllaznisë vazhdojnë bisedimet për të arritur një akord me lojtarin. Sipas burimeve në klubin shkodran, mësohet se Orahovac ka qenë një sulmues i kërkuar prej kohësh nga Vllaznia, por emri i tij ka dalë në skenë vetëm tani.
Bisedimet
Mësohet se bisedimet me serbin janë në hapat e parë. Ai ka përfunduar një sezon relativisht të suksesshëm te Frankfurti, aty ku luan edhe shqiptari Jurgen Gjasula. Në klubin kuqeblu bëjnë të ditur se Orahovac mund të mbërrijë këto ditë në Shkodër për të firmosur. Duket se presidenti Valter Fushaj është njohur me kërkesat e lojtarit dhe tashmë do të kërkojë të bëjë një sakrificë ekonomike. Trajneri Mojash Radonjiç e ka parë si të domosdoshëm afrimin e një tjetër sulmuesi, krahas Vioresin Sinanit, Daniel Jumiçit dhe Valdano Nimanit.
Ish-presidenti
Shumë kohë më parë, pikërisht kur presidencën shkodrane e drejtonte i ndjeri Myftar çela, sulmuesi Rahovac, i cili ka qenë në kulmin e tij, ishte ndër lojtarët që kërkohej nga Vllaznia. Nëse një gjë e tillë nuk u bë e mundur në atë periudhë, tashmë kjo dëshirë e hershme mund të bëhet realitet për klubin shkodran. Ajo çka pritet është që të ketë një përgjigje pozitive nga Orahovac, i cili nisur nga eksperienca e madhe që ka në kampionatin gjerman, por gjithashtu edhe në atë portugez, mund t’i shërbejë shumë Vllaznisë në repartin problematik të sulmit.