E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapllani: I lumtur që qëndrova në Karlsruhe

Nga Bledar Kuka
Edmond Kapllani është në qiellin e shtatë. Pasi trajneri Beker i dha besimin, verën e kaluar, sulmuesi shqiptar ia shpërbleu atij, klubit dhe tifozëve me 17 gola, ndërsa duhen edhe 3 javë deri në përfundim të kampionatit. Karlsruhe është në Bundesligë pas 9 vjetësh, duke ringjallur kohët e arta të Oliver Kanit me shokë, kur arrinte deri në fitore të thella në Kupën UEFA. Dikur në të luante edhe Igli Tare, ndonëse në fillimet e karrierës dhe pa lënë shumë gjurmë (do bëhej i famshëm në Itali). "Jam shumë i lumtur që qëndrova në Karlsruhe", - shprehet Mondi për "Nojeste Nahrihten". Lojtari kuqezi ka pohuar disa herë se ka oferta nga klube të Bundesligës, por edhe nga Italia apo vende të tjera, pa dashur të nxjerrë emrat e skuadrave. Gjithashtu, ai ka bërë të qartë se kërkon të luajë edhe sezonin e ardhshëm në Bundesligë, me KSC-në, si falenderim për besimin që i kanë dhënë. Sezonin që vjen, Kapllani, do të mbetet pa krahun e tij të djathtë, Xhovani Federiko, pasi italo-gjermani do të shkojë te Borusia e Dortmundit. Federiko është tifoz me Dortmundin dhe mban mend, kur ishte në stadium si tifoz, ndeshjet ndaj Juventusit dhe Milanit në "Vestfalenshtadion". Tifozi i Eros Ramacotit, që ka një tufë me CD të tij, ka shënuar deri tani 16 gola dhe ka dhënë një numër të madh asistësh, duke qenë më i miri lojtar i Karlsruhes këtë sezon. KSC ka gëzuar shumë personalitete të futbollit gjerman që, në një farë mënyre janë të lidhur me të. Trajneri i kombëtares së Gjermanisë, Joakim Lëv shprehet se "KSC e meritoi ngjitjen në kategorinë e parë, sepse ishte ekipi më i mirë gjatë gjithë sezonit, duke pasur lojë të jashtëzakonshme si skuadër, por edhe me lojtarë të vecantë". Ish-ylli i "Nationalmanshaftit", Tomas Hesler, dikur lojtar i KSC-së, është i gëzuar: "Jam tepër i lumtur për KSC-në, është sensacionale ajo që mundi të bënte trajneri Ede Beker me lojtarët e tij". Guido Buhvald, një tjetër ish-kampion bote si Hesleri, mendon se "Karlsruhe është sërish atje ku e ka vendin". Nuk mund të mungonte Oliver Kan, titali i Bajernit, ish-portier i Karlsruhes, madje në një ndeshje të madhe në Kupën UEFA, fituar 7-0 ndaj Valencias. "Jam i lumtur që do të luaj sërish kundër KSC-së në Bundesligë, - shprehet portieri, - në një farë mënyre, një cikël i mbyllur për mua". Së fundi, kanë nisur të bëhen llogaritë për sezonin e ardhshëm kur duhet një buxhet, minimalisht prej 13 milionë eurosh. Nga këto, vetëm rrogat për sezonin e ardhshëm do shkojnë në 4.7 milionë euro, ndërsa 15 për qind e të ardhurave i duhen dhënë Mihael Këlmerit, që shpëtoi klubin më 2000 nga falimentimi, duke i dhënë hua 15 milionë marka në kesh. Cmimet e biletave do të jenë më të shtrenjta sepse në stadium nuk do vijnë më Unterahing, Koblenci apo Paderborni, por Bajerni, Verderi dhe Shalke.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›