E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kategoria e Dytë, akuza Kuçovës për blerje ndeshjesh

Nga Bledar Kuka
Nga kryeqyteti kanë shpërthyer akuza për Kucovën. Burime në dy klube tiranase, Dajti dhe Olimpik i Tiranës, janë shprehur se klubi kucovar po bën cmos që të sigurojë kalimin në Kategorinë e Parë, në kurriz të të tjerëve. "Gjyqtari i ndeshjes sonë ndaj Peshkopisë ishte skandaloz, - thotë një nga lojtarët e Dajtit, - donte që t'ia jepte ndeshjen Korabit, në të mirë të Kucovës. Është e qartë se po luhet një skemë që të mos e lejojnë Dajtin që të dalë një kategori më lart". Gjatë ndeshjes të së dielës (4-1 për Dajtin) pati edhe probleme. Burime në stadium bëjnë të ditur se kryetari i Bashkisë së Kamzës hyri brenda rrethimit të brendshëm dhe i foli në vesh gjyqtarit anësor. Kjo ndodhi në pjesën e dytë dhe gjyqtari kryesor, Sopiani e ndërpreu ndeshjen rreth 20 minuta, duke i tërhequr gjyqtarët në dhomat e zhveshjes. Pas kësaj, në vend të anësorit gjykoi gjyqtari i katërt. Lojtarët e Dajtit kanë frikë se mund të ndodhë ndonjë gjë në komisionet e federatës, sepse ata mendojnë se ky është një skenar i FSHF-së. "Në FSHF duan që të dalë Kucova, - shprehen futbollistë të Dajtit, - madje ndikon edhe Sektori i Garave, që mban krahun e deputetit të Kucovës, Pilo Kërri". Një nga lojtarët e Dajtit, Ervin Kryemadhi mjaftohet vetëm të thotë se gjykimi i Sopianit ishte skandaloz. "Sopiani ishte me tendencë kundër nesh, - thotë ai, - edhe kartoni i dytë i verdhë për mua, që solli të kuqin, ishte krejt absurd, menjëherë pasi ne shënuam". Ndërkaq, burime tek Olimpiku i Tiranës theksojnë se Kucova i ka marrë në mënyrë jo të ndershme dy ndeshjet ndaj tyre. "Edhe në Tiranë, edhe në Kucovë na kanë mundur me gjyqtar, - thonë burime në klub, - pas tyre fshihen deputetë dhe kanë federatën me vete. Thuhet se janë gati të shpenzojnë 700 000 lekë të reja për një barazim tonin me Dajtin, këtë javë". Në Federatën Shqiptare të Futbollit, Shefi i Sektorit të Garave, Hito Hitaj, u shpreh se nuk mund të flasë për ngjarjet e kësaj jave në Kategorinë e Dytë. "Duhet të vijnë relacionet në FSHF, - thotë ai, - dhe pastaj të vendosin komisionet". Ndërsa zëdhënësi Nurishmi mohon faktin se FSHF të jetë e përfshirë në pazaret në favor të Kucovës. "Këto janë akuza pa baza, - thotë ai, - FSHF është e paanshme". Për problemet në kampionatet e futbollit në Shqipëri flet edhe shefi i gjyqtarëve në FSHF, Sulejman Mema. "Ne kemi problem me presidentët, politikanët VIP si kryetarë bashkish, deputetë etj., - thotë ai, - sepse qëndrimet e tyre nxisin dhunën nëpër stadiume". Kjo është java e fundit e Kategorisë së Dytë, që do të vendosë edhe ekipin që do dalë një kategori më lart. Flet deputeti Pilo Kërri: Kucova, jo pjesë e pazareve Deputeti i Kucovës, Pilo Kërri, ka deklaruar dje për gazetën se ai është i indinjuar për fjalët që kanë dalë lidhur me pazare nga ana e klubit kucovar, duke pohuar se ecuria e ekipit në kampionat ka qenë e pastër. Kucova pretendon të dalë në Kategorinë e Parë, duke qenë vetëm 1 pikë prapa Dajtit të vendit të parë, ndërsa nga lojtarë kamzalinj apo të Olimpikut të Tiranës thuhet se ka pasur para të hedhura prej kucovarëve. "Unë mund t'iu them se Kucova po zhvillon një kampionat të pastër dhe fituam me meritë me Pukën, - thotë Kërri, - madje dua t'iu pyes se ku paskemi marrë pjesë në pazare?". Kur i thuhet se flitet për ndeshjen e Kukësit, për atë të Dajtit në Koplik, Kërri sqaron se këto fjalë nuk janë të vërteta. "Unë nuk jam sponsor i Kucovës, - thotë deputeti, - por një dashamirës i skuadrës dhe i kam premtuar popullit të atij qyteti që t'i kthej krenarinë e dikurshme, pra që ekipi të jetë në kategori sa më të larta". Ai nuk harron të përmendë traditën e Kucovës që "ka nxjerrë sa e sa futbollistë shumë të mirë, ka pasur lojë teknike, të butë dhe ka arritur të mundë në mes të Tiranës edhe Partizanin apo Dinamon". "Në Kukës ne u kemi kërkuar kuksianëve vetëm një gjë, - vazhdon Kërri, - pra që të luhet futboll i pastër dhe korrekt, sic luhet në Kucovë. Dhe dua t'i falenderoj sepse na e dhanë fjalën dhe e mbajtën. Ndeshja u luajt e pastër, ndërsa ne fituam me meritë, me një gol që u shënua në mënyrë të rregullt. Përsa i përket Dajtit, ata i dinë vetë ndeshjet e veta, ne nuk kemi gisht". Kërri thekson faktin se në Kucovë kanë marrë pikë skuadra që janë më të dobëta në renditje sesa vetë ajo: "Në fazën e parë, në Kucovë kanë marrë pikë ekipe si Rrogozhina apo edhe Kukësi dhe nuk ka ndodhur asgjë". "Nuk e di sesa jeni në dijeni, - vazhdon ai, - por në cdo ndeshje që luhet në Kucovë, ne ndahemi si miq me kundërshtarët, pimë edhe nga një kafe pas ndeshjes". "Dua t'iu theksoj se nuk kemi qenë pjesë e pazareve, - këmbëngul deputeti, - unë jam edhe arkitekt në profesion dhe kjo ka rëndësi, sepse profesioni ndikon në karakter. Madje, nuk kam qenë pranë ekipit këto kohë sepse kemi pasur një problem familjar, për një personin tonë që e kemi sjellë këto ditë në Korcë për ta varrosur". Së fundi, Kërri thotë se ka besim në daljen e Kucovës në Kategorinë e Parë. "Ne kemi një ndeshje që mund ta fitojmë, luajmë ndaj Rrogozhinës, një ekip që ka marrëdhënie të mira me Kucovën. Shpresojmë që edhe ndeshja e Dajtit të luhet e rregullt dhe nëse ndodh kështu, besoj se do jemi në Kategorinë e Parë".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›