E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapllani: Nuk duroj dot më stolin, do iki nga Augsburgu

 

Edmond Kapllani, sulmuesi i Kombëtares shqiptare, po provon një nga eksperiencat e tij më të hidhura e më të çuditshme, sipas tij, në karrierë. Te Augsburgu nuk ka luajtur asnjë ndeshje si titullar në 12 javët e para dhe gjendet në një situatë të pazakontë. Në një deklaratë për "Panorama", bomberi durrsak pohon se nëse situata do të vazhdojë kështu, ai mund të largohet në janar nga ekipi. "Është e pabesueshme edhe për mua. Nuk më ka ndodhur kurrë në karrierën time si futbollist që në 12 javët e para të kampionatit të mos luaj asnjë ndeshje si titullar. Nuk di si ta shpjegoj. Është qesharake, por edhe acaruese njëkohësisht. Problemi nuk është se lojtarët që janë aktivizuar deri tani kanë shkëlqyer dhe skuadra po arrin rezultate të mira. Nëse do të ishte kështu, atëherë trajneri me të drejtë mund të thoshte që e ka të vështirë të ndërrojë skuadrën që funksionon. Jam penduar që kam ardhur tek kjo skuadër. Do të pres edhe disa javë, por besoj se nga muaji dhjetor do të ulem në bisedime me drejtuesit e skuadrës. Unë nuk jam i dëmtuar dhe nuk kam hapur kurrë probleme këtu, megjithëse gëzoj një formë shumë të mirë. Nëse situata nuk do të ndryshojë edhe në javët e ardhshme, atëherë do kërkoj mirëkuptimin e drejtuesve që të largohem. Megjithatë, një gjë është e qartë: do të largohem, vetëm nëse do të kem oferta nga klube që plotësojnë kërkesat e mia dhe janë skuadra me emër", ka pohuar Kapllani.             J.Halilaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›