Ish-drejtori i "Albpetrol", gjendet i vdekur në zyrë
Etleva Delia
Ish-drejtori i Për-gjithshëm i "Alb-petrol"it, i ka dhënë fund jetës duke konsumuar 7 tableta fostoksine, në ambientet e kompanisë së tij private në Tiranë. Gjergj Kerri është gjetur në gjendje të rëndë shëndetësore mesditën e së martës, nga disa punëtorë në ambientet e firmës se tij private të kontruksioneve metalike, "KMFK" me qendër në Fushë-Prezë të Tiranës. Edhe pse u transportua me urgjencë në pavijonin e Toksikologjisë të Spitalit Ushtarak, biznesmeni 55-vjeçar ndërroi jetë disa orë më pas në duart e mjekëve. Policia e kryeqytetit sapo ka marrë sinjalizimin për ngjarjen ka shkuar në vendin e ngjarjes, ku ka mundur të sekuestrojë një letër që Kerri e kishte shkruar disa momente para se të pinte ilaçin vdekjeprurës. Pranë letrës u gjet një tubet në formë cilindrike brenda të cilit ndodheshin 7 tableta fostoksinë, me ngjyrë gri në jeshile. Pas verifikimit të ambalazhit cilindrik ku ndodheshin kokrrat helmuese, u verifikua se një kuti e tillë mbante 14 copë, çka hedh dyshime se Gjergj Kerri mund të ketë konsumuar gjysmën e tabletave. Burime nga policia thanë se ekzaminimi mjeko-ligjor përcaktoi si shkak të vdekjes helmimin nga një sasi e madhe fostoksine.
HETIMI
Grupi hetimor i mbërritur në vendin e ngjarjes pas sinjalizimit nga punëtorët e firmës së Gjergj Kerrit, "MKFK", ka marrë në pyetje pothuajse të gjithë punëtorët në lidhje me rrethanat e ngjarjes. Sipas policisë mësohet se nga deklarimet e tyre nuk ka rezultuar që Kerri të ketë pasur ndonjë shqetësim apo ndonjë problem kohët e fundit. Sipas tyre 55-vjeçari edhe gjatë ditës kur i dha fund jetës, është sjellë njëlloj si ditët e tjera, deri nga dreka kur për disa minuta nuk është parë duke lëvizur, nëpër ambientet e firmës dhe më pas punëtorët e kanë gjetur të shtrirë në zyrën e tij. Sipas policisë edhe nga deklarimet që u janë marrë familjarëve të tij, bashkëshortes dhe të birit, nuk ka rezultuar që ai mund të ketë pasur ndonjë problem. Por edhe në letrën që policia sekuestroi në vendin e ngjarjes, nuk u zbulua asnjë e dhënë apo shpjegim për veprimin që ai kishte ndërmarrë. Burimet sqaruan se në letër thjesht thuhej që Kerri kishte vendosur të largohej nga kjo botë, por pa dhënë asnjë motiv për këtë veprim.
Aktiviteti i KERRIT
Gjergj Kerri që prej vitit 2003 kur ishte larguar nga drejtimi i kompanisë së naftës 'Albpetrol', me qendër në Fier, kishte vendosur që të niste një biznes privat. Për gjashtë vite me radhë Kerri kishte drejtuar kompaninë "Albetrol", prej vitit 1997 e deri kur u largua në vitin 2003. Sipas policisë në fund të detyrës së tij, disa punonjës të pakënaqur nga shpërblimet në punë, e paditën Kerrin në Gjykatën e Fierit, por gjithçka u kthye në favor të tij, duke qenë se Gjykata e Lartë vendosi pranimin e kundërpadisë së Gjergj Kerrit, duke konstatuar pavlefshmërinë absolute të neneve ku e kishin bazuar padinë, punonjësit e "Albpetrol"-it. Pas largimit nga detyra e deri në vazhdim Kerri kishte nderuar një biznes privat, që merrej me konstruksione metalike, me qendër në Fushë-Prezë të Tiranës.
Lamtumira e fundit në banesën e biznesmenit
TIRANE - Familjarë, të afëmr, miq dhe kolegë të biznesmenit Gjergj Kerri, dikur drejtor i Përgjithshëm i 'Albpetrolit", i kanë dhënë dje lamtumirën e fundit babait të 2 fëmijëve. Në ceremoninë mortore ka munguar vetëm vajza e tij, e cila vazhdon studimet në Francë. Për të gjithë personat që njihnin 55-vjeçarin, ngjarja ka qenë e papritur dhe më shumë befasuese dhe tronditëse ka qenë për bashkëshorten dhe djalin e tij, të cilët u lajmëruan për ngjarjen nga punëtorët e fabrikës. Fqinjët e tij, në një pallat tek rruga e Elbasanit në Tiranë, tregojnë se ngjarja ka shokuar të gjithë të afërmit e Gjergj Kerrit, por edhe vetë ata. "Të gjithë kanë mbetur të shtangur nga veprimi i tij", thotë një nga të afërmit, që ishte për ngushëllim tek familja e biznesmenit. Por edhe policia që ka marrë deklarime nga familjarët dhe nga punonjësit e kolegët e tij, nuk ka mundur të gjejë një motiv për këtë ngjarje. Sipas policisë të gjithë personat që janë marrë në pyetje nuk kanë dhënë asnjë shpjegim për vetëhelmimin e 55-vjeçarit Gjergj Kerri. Madje ata janë shprehur të habitur, duke qenë se Kerri nuk kishte ndarë asnjë shqetësim, qoftë edhe me bashkëshorten apo djalin e tij. "Nuk kishte asnjë problem, gjithçka i ka ecur mjaft mirë, qoftë në punë, qoftë edhe në familje", mësohet të jetë shprehur në polici një i afërm i biznesmenit. Ai nuk kishte biseduar me asnjë njeri për ndonjë borxh të mundshëm që mund të kishte, apo mund t'i kishin persona të tjerë, gjë për të cilën po heton policia. Gjithashtu edhe nga puna e mëparshme që ka bërë, si drejtor i Përgjithshëm i "Albpetrol-it", nuk kishte pasur asnjë problem as gjatë kohës kur kryente detyrën, por edhe pasi ishte larguar nga ajo detyrë.