Ligji, gjyqtarit mblidhen me statutin e Konferencës
TIRANE - Konferenca Gjyqësore mund të mblidhet dhe të zgjedhë anëtarët e KLD-së edhe pse është shfuqizuar si antikushtetues ligji për këtë institucion. Zgjidhja e problemit që lakohet në media prej disa muajsh është statuti i Konferencës Gjyqësore Kombëtare, formuluar në vitin 1999 dhe i a menduar në vitin 2001, ndërsa vazhdon të jetë në fuqi pasi nuk është shfuqizuar. Ndërkohë, edhe ligji për KGJK-në, i miratuar 4 vjet më parë nuk e ka shfuqizuar statutin e Konferencës, por përkundrazi, ka cituar pjesë të tij. Të paktën deri në fund të vitit 2004 togat e zeza të tre shkallëve të gjyqësorit janë mbledhur në bazë të statutit të KGJK dhe kanë zgjedhur anëtarët e KLD-së. Burime nga KLD pohuan dje se në nenin 11 të statutit thuhet se: "Zgjedhja e anëtarëve të KLD-së përcaktohet në takimin vjetor të Konferencës ... Kandidatët për në KLD do të zgjidhen nga gjyqtarët e Shkallës së Parë dhe Apelit, duke pasur parasysh edhe shpërndarjen gjeografike. Edhe vetëm 10 gjyqtarë mund të propozojnë një gjykatës për të qenë kandidat për anëtar i KLD-së". Anëtarë të KLD-së pohuan dje se neni 147 i Kushtetutës nuk e përcakton mënyrën sesi duhet të veprojë Konferenca për zgjedhjen e anëtarëve të KLD-së, ku parashikohet se: "KLD përbëhet nga Presidenti i Republikës, Kryetari i Gjykatës së Lartë, ministri i Drejtësisë, 3 anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi, si dhe 9 gjyqtarë të gjitha niveleve, të cilët zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare". Pra, sipas tyre nuk ka asnjë pengesë ligjore që do të kushtëzonte moszgjidhjen e anëtarëve të KLD-së gjatë mbledhjes së gjyqtarëve më datë 5 dhjetor të këtij viti. Ndërkohë edhe ligji i shfuqizuar për Konferencën Gjyqësore, nuk e parashikonte mënyrën sesi duhet të veprohej për zgjedhjen e anëtarëve të KLD-së, duke bërë që në këtë mënyrë të mos krijohej vakum ligjor. Për më tepër, sipas anëtarëve të KLD-së ligji, për KGJK-në, tashmë i shfuqizuar përmbante pjesë nga statuti, duke parashikuar në të njëjtën mënyrë procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të KLD-së. Po kështu sipas anëtarëve të KLD-së ligji për Konferencën Gjyqësore, i cili nuk bënte pjesë tek ligjet organike, nuk ishte domosdoshmëri për funksionimin e gjyqësorit dhe se në mungesë të tij, KGJK-ja mund të funksionojë normalisht duke u mbështetur vetëm në statutin me të cilin ka funksionuar deri para vitit 2005. Duke argumentuar në këtë mënyrë, anëtarë të KLD-së pohuan dje se edhe ligji mbi të cilin funksionon vetë KLD-ja nuk parashikon që Konferenca Gjyqësore Kombëtare rregullohet me ligj të veçantë. Pra, e thënë ndryshe zgjedhja e anëtarëve të KLD-së, nuk është domosdoshmëri që të bëhet konform ligjit për KGJK-në. Kjo për faktin se vetë KLD-ja e pranon zgjedhjen e anëtarëve të rinj, nëse bëhet sipas rregullave dhe kritereve të përcaktuara më parë. fa.ma.