E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taçi në Apel për masën e arrestit

 

Gjyqtarja e Gjykatës së Apelit, Zegjine Sollaku, e zgjedhur me short për shqyrtimin e masës së sigurisë ndaj Rezart Taçit, pritet të japë dorëheqjen nga kjo çështje ditën e sotme. Lajmi është bërë i ditur për gazetën "Panorama" nga burime të konfirmuara, sipas të cilave, dorëheqja e gjyqtares Sollaku është motivuar me një proces gjyqësor që ajo ka hapur me gazetarin Mero Baze, i cili është paditës në çështjen penale të hapur ndaj Rezart Taçit. Për shkak të konfliktit gjyqësor me kallëzuesin, gjyqtarja Zegjine Sollaku pritet të paraqesë sot gjatë seancës në Gjykatën e Apelit, dorëheqjen nga shqyrtimi i çështjes. Ajo është zgjedhur me procedurën e shortit si një nga tre gjyqtarët që duhet të merrnin sot në shqyrtim kërkesën e avokatëve të Rezart Taçit, për ndryshimin e masës së sigurisë "arrest me burg" vendosur nga Gjykata e Faktit më 5 nëntor 2009. Pas hedhjes së procedurës së shortit, është bërë verifikimi i rrethanave të çështjes penale dhe në përfundim të kësaj analize, gjyqtarja Sollaku ka vendosur të shpallë dorëheqjen në seancën e sotme.
Shorti pas apelimit
Pesë ditë pasi Gjykata e Shkallës së Parë shpalli vendimin me të cilin la në burg Rezart Taçin, avokatët e biznesmenit e dorëzuan në Apel atë bashkë me një ankim ku kërkohej ndryshimi i masës së sigurisë. Gjykata e Apelit hodhi shortin me gogla, në të cilin u përfshinë të gjithë gjyqtarët, ndërsa procedura zgjodhi tre anëtarë të trupës gjykuese për shqyrtimin e ankimit. Sipas procedurës së shortit, seanca gjyqësore u la të zhvillohej në datë 19 nëntor 2009, sipas afateve të parashikuara në ligj. Një ditë para seancës, nga burime të konfirmuara, është mësuar se gjyqtarja Sollaku nuk do të marrë në shqyrtim apelimin, duke dhënë dorëheqjen për shkak se ka një proces gjyqësor me kallëzuesin në këtë proces. Rreth një vit më parë, bashkëshortja e ish-kryepro-kurorit Theodhori Sollaku, paditi në Gjykatën e Faktit me akuzën e shpifjes, gazetarin Mero Baze. Gjykata e Faktit e shpalli fajtor dhe e dënoi me gjobë gazetarin, ndërsa Zegjine Sollaku e apeloi këtë vendim duke kërkuar dënimin e të dyshuarit me një sanksion më të lartë financiar për dëmin e shkaktuar. Objekt i padisë ishin disa artikuj në vazhdimësi të publikuar nga gazetari Baze, në lidhje me aktivitetin e Zegjine Sollakut si gjyqtare.
Ajo paditi në gjykatë gjithashtu edhe pretendimet e hedhura në adresë të ish-prokurorit të Përgjithshëm Sollaku. Duke qenë se Shkalla e Parë ka shpallur fajtor Mero Bazen dhe çështja tani është në Apel, gjyqtarja Sollaku ka vendosur të dorëhiqet nga shqyrtimi i dosjes në të cilën kallëzues është personi i paditur prej saj në një proces civil për shpifje. Dorëheqja e gjyqtares Sollaku pritet të shkaktojë vonesa në Gjykatën e Apelit, e cila duhet të përsërisë procedurën e shortit me qëllim krijimin e një trupe gjykuese të re prej tre anëtarësh, me qëllim shqyrtimin e ankimit të avokatëve të Rezart Taçit, të cilët kërkojnë ndryshimin e masë së sigurisë ndaj biznesmenit.                             tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›